Dosja B

[Shkarkoje librin]

EPILOGU SI PROLOG

Në faqen e Autorit në internet, pa pritur e pa kujtuar, “u ringjall” adresa e parë, nga viti 1995, e hapur në “aol”,e mbyllur në vitin 2008, me rastin e kthimit në Prishtinë.

“Ndërhyrja” në internet nga adresa anonimes@anonimus.aol në një volum prej 264 MB, u përcoll me derdhjen e disa shënimeve të paautorizuara që vinin nga arkivat e mbyllura të disa shërbimeve informative, të shumtën nga ato gjermane: BND dhe MAD, nga procesverbalet e Gjykatës së Hagës, të UNMIK-ut dhe të EULEX it, të shoqëruara me shkrime gazetash, fejtone si dhe fragmente të disa veprave letrare, historiografike, të cilat shoqëronin një dosje të quajtur “Dosja B”.

Anonimi thoshte se për tre vjet kishte qenë hetues special i gjykatës së EULEX-it në Kosovë, i përfshirë bashkë me të tjerë, në këtë rast nga i cili ishte tërhequr, (por jo edhe nga hulumtimi personal i rastit) pasi që në Gjermani, prej nga vinte, në rrethana tepër të dyshimta për të, ishte vrarë një dëshmitar i mbrojtur (Roja e burgut, përndryshe autor i ditarit të burgut). Sado që ishte thënë se ajo ishte një vetëvrasje, në të vërtetë, eliminimi i dëshmitarit të mbrojtur, kishte penguar hapjen e disa proceseve të tjera me anën e të cilave do të zbardheshin shumë nga vrasjet e bëra gjatë dhe pas luftës nga një qendër e krimit të organizuar.

Ndaj, i dëshpëruar nga realiteti gjyqësor si dhe prapaskenat me të cilat ballafaqoheshin të gjithë ata që luftonin të gërmonin diçka nga “dosja e fshehur”, hetuesi anonim gjerman do t’i drejtohet Autorit me dosjen fantome.

Me këtë rast, hetuesi anonim, përmend romanin “Dosja e hapur”, të botuar së voni, për të cilin thotë se “Dosja B” është pjesë e tij…

Ky vlerësim nuk e kishte befasuar Autorin, ngaqë në art dhe krijimtari, krahasimet, ndërlidhjet si dhe identifikimet, qofshin ato edhe të pabesueshme me veprat, personazhet si dhe ngjarjet, janë të natyrshme dhe pjesë e kreativitetit si dhunti e përgjithshme.

*

Kur m’u tha se duhej të shkoja në Prishtinë për të marrë pjesë në hetimin e një rasti tashmë të shënjuar si më i rëndësishmi i misionit ndërkombëtar EULEX dhe m’u la para një dosje e trashë, e kisha të qartë se gjendesha përballë një sfide të madhe me të cilën lidhej jo vetëm fati i karrierës sime, por edhe shumëçka tjetër që atje ishte thadruar gjatë kohës së protektoratit ndërkombëtar prej tetë vitesh dhe më herët në rrethanat e shpërbërja së ish Jugosllavisë nëpër të cilat kishte kaluar vendi gjatë atij procesi dhjetëvjeçar të ndeshjes për jetë a vdekje të dy realiteteve diametralisht të kundërta: dhunës shtetërore që kishte vendosur regjimi i Beogradit në emër të mbrojtjes “së sovranitetit shtetëror” si e drejtë ndërkombëtare dhe rezistencës institucionale paqësore, i popullatës shumicë (shqiptare) së fundit e kthyer në një kryengritje të hapur dhe luftë madje, që ndërkombëtarisht ishe kualifikuar “konflikt i armatosur…”

Edhe pse epilogu midis “të drejtës historike” me anën e armëve dhe të drejtës etnike-jetësore, me anën e rezistencës institucionale-paqësore, që kishte shkuar deri te rezistenca e armatosur, ishte vendosur nga ndërhyrja ushtarake e NATO-s me fushatën ajrore nga 24 marsi deri më 12 qershor 1999, kur me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së Kosova ishte vënë nën mbikëqyrjen e përkohshme ndërkombëtare, megjithatë, e ashtuquajtura “kohë kalimtare” kishte vazhduar me konfrontime të pashmangshme shoqërore të karakterit social dhe kulturor pa përjashtuar këtu edhe ato politike, të natyrshme në një ambient të mbingarkuar nga traumat e së kaluarës ideologjike si dhe ato të natyrës hegjemoniste të freskëta në kujtesën e gjithë atyre që gjatë verës dhe vjeshtës së vitit 1998 si dhe në pranverën e vitit 1999, fushata e ushtrisë jugosllave i ktheu në refugjatë, të cilët gjetën strehim në Shqipëri, në Maqedoni dhe në vendet të tjera europiane.

Sidoqoftë, përzgjedhjes sime për një mision të tillë, mund t’i kishin ndihmuar edhe dy faktorë personalë, që gjendeshin në biografinë time të punës, që e posedonte EULEX-i. Fjala ishte për lidhjet e mia të dyanshme familjare me shqiptarët dhe serbët nëpërmes gjysheve (gjyshja ime nga ana e babës shfaqej shqiptare, ndërsa nga ana e nënës – serbe).

Gjyshja shqiptare nga ana e babës dhe gjyshja serbe nga ana e nënës vinin nga koha midis dy luftërave botërore dhe u takonin atyre që mund të merren si “rastësi të natyrshme” në kuadër të lidhjeve diplomatike dhe ekonomike të Rajhut gjerman me vendet e Ballkanit, të cilat duhej të kalonin edhe nëpërmes afrive njerëzore të cilat jo gjithnjë përcaktoheshin nga “interesa shtetërore”, siç mund të thuhet për martesën e gjyshit tim nga baba, Robert W. me shqiptaren Mari Sh., me të cilën ai ishte njohur para se të shkonte atashe ushtarak në Tiranë. Kjo kishte ndodhur fare rastësisht gjatë mbajtjes së manifestimit “Mis Europa”, kur në saje të lotarisë së biletës, koloneli gjerman kishte fituar të drejtën që gjatë darkës të shoqërojë përcjellësen e parë të “Mis Europa”,Mari Sh., që vinte nga Shqipëria. Ajo darkë lotarie në Romë dhe njohja me të kishte përcaktuar fatin e kolonelit gjerman dhe bukuroshes shqiptare, meqë aty, drejtpërdrejt kishte zënë fill një dashuri jetësore ndër më të natyrshmet dhe të veçantat njëherësh, e cila gjatë dy viteve ishte përcjellë me disa takime në Itali, për t’u kthyer në martesë (pasi gjyshi ishte caktuar atashe ushtarak i Rajhut në ambasadën gjermane në Tiranë në vitin 1937).

Natyrisht se martesës midis bukuroshes shqiptare Mari Sh., (nëpunëse e oborrit mbretëror), nga një familje shkodrane me origjinë nga Prizreni, me një atashe ushtarak gjerman në Shqipëri, nuk kishte shpëtuar pa iu veshure dhe “interesa të tjera”, sado që ajo ishte fryt i një dashurie rasti.

Mund të thuhet se edhe martesa e gjyshit tim nga nëna, Heinc G., përfaqësues i firmës automobilistike “Mercedes” në Beograd, me aktoren e njohur të Teatrit Serb të Beogradit, Vera L., nuk do t’i shpëtojë anatemës së lidhjeve të “lozhës së lartë”, siç quheshin asokohe ato midis artistëve të njohur dhe përfaqësuesve të jashtëm nga metropolet europiane, të cilave kahun, por edhe fatin rëndom ua përcaktonin zhvillimet politike.

Ngjashëm kishte ndodhur edhe me martesën e industrialistit gjerman dhe artistes beogradase. Pas dy vitesh jete të lumtur bashkëshortore në Beograd, në prag të luftës së Dytë Botërore (pas prishjes së paktit të jugosllavëve me gjermanët), gjyshi im, Heinc G., bashkë me aktoren serbe,detyrimisht ishin kthyer në Berlin.

Biznesin e kishte zëvendësuar me një post në Ministrinë e Jashtme gjermane, ndërsa gjyshja ime Vera L., do të mbetet as në tokë e as në qiell, pra jashtë ëndrrës së saj jetësore për t’u ngjitur në skenat e teatrit gjerman. Kjo do t’i pengohet ngaqë nuk e kishte përvetësuar theksin gjerman, edhe pse kishte bërë çmos që këtë ta arrinte.

Pasi kishte mallkuar gjuhën gjermane, e përfshirë nga një thyerje e pashërueshme shpirtërore, gjyshja ime Vera L., nuk kishte jetuar gjatë. Kishte vdekur pak pa përfunduar lufta nga një anemi e pashpjegueshme që iu kishte shfaqur sapo kishte lindur time ëmë.

Gjatë atyre dy viteve të një jete të molisur, përherë në shtrat, ime amë kishte mbetur në duart e hallës Helga me të cilën ajo ishte rritur detyrimisht ngaqë gjyshi nga nëna, Heinc G., në vitet e fundit të luftës, si shumë të tjerë, ishte mobilizuar dhe dërguar në frontin e Normandisë, prej nga nuk ishte kthyer kurrë. Meqë, ime ëmë, Gerta, ishte rritur në duart e hallës Helga dhe pa ndonjë lidhje as me të atin e mbetur në luftë, aty kishin përfunduar edhe kujtimet për të ëmën, për të cilën dinte se vinte nga Serbia, por nga ato që ia kishte thënë hallë Helga, pa qenë e bindur në ishte serbe apo vllahe. Kjo për time ëmë dhe për mua as që kishte rëndësi, meqë me të na lidhnin vetëm disa fotografi të një albumi prej disa faqesh nga koha kur gjyshja Vera L., ishte aktore e njohur e teatrit të Beogradit në rolin e Ofelisë, të shoqëruar me disa fjalë në serbishte (nga një kritik i teatrit), të cilat im gjysh, Heinc G., i kishte shoqëruar me një përkthim në gjermanisht. Pak para se të vdiste ime ëmë, kishte kërkuar nga unë, që po pata mundësi, albumin t’ia dorëzoja Teatrit Kombëtar Serb në Beograd.

 “Është pjesë e një biografie shpirtërore që nuk duhet të harrohet!”

Më vjen keq që porosinë e time ëmë nuk pata mundësi ta çoj në vend sepse albumi bashkë me disa kujtime të tjera ishte kallur me rastin e një zjarri që e ishte kapur shtëpinë tonë gjatë kohës kur ajo mbikëqyrej nga një kushërirë e jonë, e cila, nuk kishte qenë në rregull me shëndetin mendor.

Me gjyshen nga baba, shqiptaren Mari Sh., ishte më ndryshe. Atë e mbaja mend nga fëmijëria e hershme, fillimisht si një grua me pamje fisnike, të dashur dhe e afërt, ndërsa së voni, të rralluar nga mendja, si thuhej, ndonëse mua nuk më dukej e tillë. Përkundrazi, edhe kur i jepnin ilaçe të ndryshme dhe këtë e bënin kundër dëshirës së saj, ajo më mbante në prehër dhe më përkëdhelte flokët. Në atë prehje dashurie të ngrohtë ajo këndonte këngë në gjuhën e vet, pra në shqipe, që së voni, gjithnjë e më shpesh e përdorte në vend të gjermanishtes, të cilën pak nga pak e flaku fare.

Kthimi kah gjuha e vet dhe flakja e gjermanishtes për tim atë ishte shenjë e një thyerjeje të rëndë shpirtërore, që atë po e shkëpuste përditë e nga pak nga ne dhe nga kjo jetë, shkëputje kjo që për mua, ndonëse erdhi ditën që i mbusha tetë vjet, dukej e pavërejtur, ngaqë me mua ruante gjithë dashurinë dhe afërsinë që i mungonte me të tjerët… Madje, edhe më vonë, pasi që të ketë vdekur dhe për tim atë kujtimi i saj paraqiste një ankth, që si do të shihet nuk do t’i ndahet kurrë, për mua gjyshja Mari, mbetej tepër e dashur, në prehrin e së cilës ndjeja një ngrohtësi të jashtëzakonshme që nuk e kisha përjetuar as te ime ëmë dhe te askush tjetër… Kjo kishte bërë që shumë nga fjalët që thoshte në gjuhën shqipe t’i mbaja mend në formën e mirëfilltë, Atyre, më vonë, ua kisha shtuar edhe ato që m’i kishte mësuar gjyshi Robert W., edhe për shtatë vjet të tjera sa ishte gjallë dhe thuajse nuk e hiqte nga goja gjyshen Mari dhe kujtimin për të.

Lidhjet me gjuhën e gjyshes sime i kisha vazhduar edhe pas vdekjes së gjyshit me anën e ligjëratave të herë pas hershme te një lektor i gjuhës shqipe, Hans H. Ai, për disa vite kishte studiuar albanologjinë në Tiranë. I kishte ndërprerë pas shkëputjes së marrëdhënieve politike dhe shtetërore të Shqipërisë së Enver Hoxhës me Republikën Demokratike të Honekerit. Këtë shkëputje Hans H., e kishte shfrytëzuar që në vend se të kthehet në Berlinin Lindor, ishte kthyer në Berlinin Perëndimor. I punësuar si përkthyes i gjuhës shqipe në agjencinë e lajmeve DPA, kishte fituar edhe licencën për mbajtjen e kurseve fillestare të gjuhës shqipe. Nga kjo ai nuk kishte pasur gjithaq dobi, ngaqë pos meje dhe një somalezeje (bije të një diplomati që kishte kërkuar azil politik në RF të Gjermanisë), gjatë atyre katër vjetëve, nuk kishte pasur të interesuar të tjerë.

Ndonëse lidhjet me gjuhën e gjyshes sime të dashur Mari thuajse kishin marrë fund pasi që kisha filluar studimet në Universitetin e Berlinit (në fakultetin juridik), megjithatë ishte ndjenja e të qenit edhe pjesë e saj, pra e trashëgimisë, që më mbante të lidhur për të… Kjo sa vinte e më shtohej jo vetëm nga kujtimet që kisha nga gjyshi (suvenire të ndryshme dhe disa libra në gjuhën shqipe dhe përkthime në gjermanishte), të cilat ruheshin në vitrinën kryesore të shtëpisë sonë, por edhe nga sjellja e tim atë Markus W., avokat i njohur, i cili, nga fundi i viteve të tetëdhjeta dhe fillimi i të nëntëdhjetave, ishte përfshirë në veprimtarinë e një shoqate të njohur humanitare, fillimisht në Bosnje dhe Hercegovinë dhe së fundi në Kosovë.

Para se të shkonte në Kosovë, më kishte thënë se po i hynte një pune të rrezikshme jo vetëm pse atje viktimat e Beogradit kishin nevojë për diçka të tillë, por edhe pse ato vuajtje, ata lot dhe atë gjak që po derdhej atje, i ndjente dhe i përjetonte në mënyrë të veçantë, si vuajtje të së ëmës, për të cilat thoshte se ishin edhe të tijat dhe tonat dhe “nuk mund të shtiremi sikur nuk po ndodh gjë…”

Ishin këto fjalë që ma krijuan një përmbysje të papritur nga brenda prej nga edhe gjendja ime mori një kah të papritur, atë të përjetimit të vuajtjes të përzier me ndjenjën e brejtjes së ndërgjegjes ndaj asaj që po ndodhte sy botës, veçmas kur me veprime humanitare nga jashtë, ajo sikur përligjej…

”Është një kalvar gjaku që po vazhdon… Vetëm këtu mund të kuptohen përmasat e kësaj tragjedie… Bëhet fjalë për një gjenocid shtetëror të kahershëm, të mbështetur nga memorandume dhe projekte të tjera shfarosëse të hartuara nga akademikë dhe klerikë, që mund të ndërpritet vetëm me një ndërhyrje ushtarake…”

Disa muaj pasi që kishte ndodhur fushata ushtarake e NATO-s dhe me rezolutën e KS të OKB-së të 10 qershorit 1244, Kosova ishte përfshirë nën administrimin e përkohshëm ndërkombëtar, im atë ishte kthyer në Berlin. Mbrëmjen që u takuam kishte thuajse të njëjtin shqetësim nga takimi ynë i fundit, kur ishte larguar për në Kosovë. Mendova se e kishte nga ato që kishte përjetuar gjatë atyre tri viteve atje, por pas një heshtjeje të ngarkuar me mëdyshje foli e tha se me këtë kishte marrë fund një kapitull tragjik, por atje e keqja nuk kishte përfunduar meqë kishte rrezik të ripërsëritej…

Kur m’i tha këto, një copë herë më shikoi sikur të kërkonte diçka prej meje…

“Ka një pleksje të çuditshme të shumë e shumë gjërave, shumë e shumë plagëve, shumë e shumë kurtheve dhe çka jo tjetër, që koha kalimtare mund t’u japë një kah të paparashikueshëm, madje të kundërt me atë që mund të pritet nga një çlirim i tillë, që nuk do të thotë se garanton lirinë e njëmendtë…”

Me këtë rast ai përmendi një “dosje të vjetër”, që ka mbetur e hapur dhe mund të prodhojë fatkeqësi të tjera…

Nuk desha ta çoj më tutje punën nga bindja se im atë shqetësimin mund ta kishte nga ato që kishte përjetuar atje. I thashë se kishte nevojë për një pushim dhe i urova ta gjente në familje dhe midis miqve që kishte. Por, ai ma ktheu se për të nuk kishte as çlodhje, as pushim e as qetësi, ngaqë atje, çuditërisht, kishte takuar vajin e së amës, që vjen nga një gjëmë e pandalshme…

U ndamë me një shqetësim në mes, që ma ktheu pamjen e mjegulluar të sime gjyshe, kur ajo rrinte në divanin e drunjtë pranë dritares me shikim të përhumbur nga kopshti i mbushur me lule prej nga ajo me ato këngët e pakuptueshme gjithnjë e më shumë shkëputej nga bota që e rrethonte dhe i kthehej misterit prej nga kishte ardhur…

 Kur u takuam pas një muaji, im atë dukej edhe më i shqetësuar. Shihej haptas se kthimi nga Kosova dhe përfundimi i misionit humanitar, ku ai kishte derdhur aq mund dhe përkushtim, jo vetëm që nuk e kishte qetësuar, siç shpresoja, por e kishte bërë edhe më të ndrojtur, fjalëpakë dhe të pavullnetshëm, saqë më shkoi mendja se pas gjithë atyre që kishte përjetuar atje, i duhej ndonjë bisedë me ndonjë psikolog, që të lirohej nga ngarkesa e atyre maktheve, të cilat hiqen vështirë… Madje, diçka të tillë e zura kalimthi në gojë, por ai tha se ishin pikërisht vitet e Kosovës dhe ato të herë pas hershmet në Shqipëri që jetës së tij i kishin dhënë një kuptim të veçantë, pa të cilat do të ndjehej i zbrazur dhe i humbur fare…

“Nuk kam të ndarë nga ajo botë… Një ditë do ta kuptosh fuqinë e saj të jashtëzakonshme…”

Desha t’i thosha se përjetimi i vuajtjes dhe identifikimi me të ishte shkalla më e lartë e ndijimit të njerëzores, qoftë si koncept religjioz ose filozofik, që jo secili është në gjendje ta bëjë. Por, hoqa dorë nga frika se në ato rrethana do të keqkuptohesha. I thashë se familja jonë (unë, bashkëshortja ime Adela si dhe fëmijët Matias dhe Gerd) kishin nevojë më shumë se kurrë për prind dhe gjysh siç kishte edhe ai nevojë për ne për ta përballuar vetminë që po e rrethonte…

Kjo, në të vërtetë, ishte hapësira e vetme ku bashkoheshim dhe pajtoheshim, qoftë edhe përkohësisht. Them kështu ngaqë takimet tona, kur ai vinte herë pas herë në orët e mbrëmjes dhe përpiqej sado pak të luante me Matiasin dhe Gerdin (edhe pse kësaj nuk ia dilte dhe pak nga pak ato bëheshin gjithnjë e më të ftohta), ishin kthyer në pjesë të një protokolli familjar, që përsëritej një herë në dy javë (të shtunave) dhe nuk zgjaste më shumë se një orë. Gjatë kësaj kohe, Adela, shërbente kafe shqeto të shoqëruar me torte molle. Im atë, ashtu fjalëpakë, pinte gjysmën e filxhanit të kafes dhe hante gjysmën e pjesës së tortës së mollës. Pastaj shkonte në dhomën e fëmijëve dhe kur kthehej nga andej (e gjitha zgjaste njëzet minuta), largohej ftohtas.

Ky ritual “prishej” vetëm me rastin e ditëlindjes së fëmijëve (Matiasit më 4 prill dhe Gerdit më 11 shtator). Me ta kalonte dy orë, sipas dëshirës së tyre (së pari në kopshtin zoologjik dhe pastaj në teatrin e kukullave).

I merrte dhe i kthente me taksi në të njëjtën kohë.

Në këto dy ditë, në njëfarë mënyre, fëmijët ndjeheshin ndryshe, meqë u plotësoheshin kërkesat dhe dëshirat (fillimisht ato për lodrat e më vonë edhe vizitat nëpër vende që atyre u pëlqenin dhe ku mund të argëtoheshin), por njëherësh dalloheshin edhe për nga atmosfera shumë e afërt midis tyre dhe gjyshit, me biseda të hapura, të cilat herë-herë përfshinin edhe çështje të cilat në shtëpi thuajse ishin të pamundura (rreth miqësisë midis djemve dhe vajzave), që për herë të parë u shtruan kur Matiasi i mbushi dhjetë vjet dhe Gerdi tetë vjet dhe nisi të kërkojë që gjatë këtyre kremteve të përfshiheshin edhe shokët apo shoqet e tyre. Im atë kishte pranuar me kusht që ato të mbaheshin në McDonald dhe më vonë edhe në ëmbëltoren “Eisberg”.

Ndonëse me këtë gjendje thuajse u pajtuam të gjithë (zgjati për tetë vjet të plota dhe unë e dija se vetmia e tim atë plotësohej me disa hulumtime personale që ai i bënte rreth Kosovës dhe Shqipërisë), megjithatë, asaj i erdhi fundi kur mori vesh lajmin për emërimin tim hetues në misionin e EULEX-sit në Kosovë.

Për habi timen dhe të Adeles, por edhe të fëmijëve, me të cilët kaloi më shumë se një orë duke ua treguar domethënien e përrallave të vëllezërve Grim nga këndvështrimi i moshës së tyre që (Matiasi shkonte nga e katërmbëdhjeta, ndërsa Gerdi në të dymbëdhjetën), atë mbrëmje ndenji në darkë, pranoi të pinte një “krigël” të madhe birrë të bardhë bavareze, të cilën me vite nuk e kishte futur në gojë, siç pranoi të fliste edhe për titullin e 19 të “Bayernit” në Bundesligën gjermane, që ato ditë e kishte fituar me ç’rast lavdëroi strategjinë e holandezit Von Gal për “posedimin e topit në çdo pjesë dhe qarkullimin me të”, duke e quajtur “koncept të ri të futbollit”, që sado që do të ketë kundërshtarë, do ta ndryshojë filozofinë e lojës, por edhe atë që e quajti “ngarendje të kotë pas topit”, që nuk paraqet gjë…

Kur përfundoi darka dhe po bëhej gati të largohej, pritja që të thoshte diçka rreth shkuarjes sime në Kosovë. Kisha nevojë për ndonjë këshillë apo porosi, veçmas për ato që dinte dhe i mbante të fshehura.      

Por, e gjitha përfundoi me një marrje ngryk jo të zakonshme, të ngjashme me një ndarje të përhershme, që më futi të dridhura, sado që nuk dëshiroja t’ia pranoja vetes se e gjitha midis nesh mund të përfundonte me aq…

Me mundimin e asaj përshtypje, kaluan shumë ditë pa e parë tim atë. Nuk edhi as në takimin e të shtunës së parë dhe as në të dytën… Qenë të kota përpjekjet e herë pas hershme që të lidhesha me telefon. Vazhdimisht më vinte porosia nga Telekomi se numri që kërkoja ishte i shkyçur.

I shqetësuar se mund t’i kishte ndodhur diçka, desha ta vizitoja, sado që këtë nuk e kisha bërë prej vitesh, meqë kjo nuk i pëlqente. Nga kjo më ndali një postim në internet që më erdhi nga ai.

Bashkë me njoftimin se “i ishte dhënë në një udhëtim që mbase nuk do të përfundonte kurrë”, ma bënte me dije se në atashment gjendej shkrimi“Koha e vdekjes”, me paralajmërimin se “rrëfimi vazhdon”.

Rrjetet sociale