Dushkaja

[Shkarkoje librin]

Ora tetë e natës

Ora ra tetë herë dhe ishte ora tetë e natës. I dukej se në errësirën që tashmë kishte pushtuar hapësirën, lavjerrësi i orës lëvizte më shpejt se rëndom. Koha po ecën, tha, e moti po shkon. Vjeshta po i afrohet fundit e dita është e shkurtër sa kërcen gjeli prej traut në tra. I shtrirë në kokërr të shpinës, me duar të mbërthyera për gjoksi, kishte humbur i tëri në errësirën e dhomës, ndërsa me mendje gjendej diku jashtë asaj hapësire, jashtë asaj errësire dhe jashtë asaj vetmie, diku në një pyll të madh e të dendur, ku era e fortë i kishte zhveshur kaherë drunjtë nga gjethet e shumta dhe ashtu po ecte nëpër ato leqe të ngushta të pyllit nëpër to. Një det gjethesh që ta përkujton fundin, tha. Dhe, kur po bëhej gati t’i jepej parafytyrimit të rrugës së gjetheve nga degët deri te zverdhimi dhe rënia e tyre si pjesë e krijimit të përsëritur që aq mirë pasqyrohej në natyrë, hetoi se puna e pyllit të madh dhe e gjetheve të kalbura kishte qenë një mashtrim gjumi, meqë gjendej në shtrat, nën orën e madhe të murit, ku lavjerrësi me lëvizjet e rëndomta ishte i vetmi që e thyente qetësinë e thellë të dhomës. Deshi të ngrihej dhe të ndezte dritën, por si ta pengonte diçka, nuk lëvizi nga vendi. Ndërsa mendja, ndryshe nga plogështia e trupit, bënte përpjekje ta hidhte përtej dhomës, përtej dritares së madhe, sado që kjo nuk po i shkonte përdore, ngaqë përfytyrimi i Dushkajës së harruar me murriza dhe thera që i vinin deri te dritarja dhe një mur i pakufishëm afër ia kufizonte bredhjen. Disa herë u përpoq me mendje me fluturue tutje Dushkajës së harruar të kapluar me thera e murriza  dhe murit të pakufishëm midis tyre dhe pjesës tjetër të botës, por nuk ia doli. Ashtu i kapur, ndjeu njëfarë ftohtësie  të jashtëzakonshme sikur ta kishte nga një akullnajë e ngjashme me një stuhi, e cila, në përhapje e sipër kërkonte ta ngrinte me çfarë kishte… Si për habi, ndodhi që ethet t’i kthehen në zjarrmi. Këtë ndryshim e kishte nga një shtrëngatë e fortë, por e nxehtë, që kuiste si ujkonjë dhe ai filloi të nxehej, të djersitej e madje edhe të qullej aq sa po i pikonin flokët dhe po i digjnin edhe sytë, që kur kishte dashur me një fërkim t’i ikte djegësirës, ata i ishin hapur. Për çudi, kishte parë se në dhomë kishte dritë, një dritë lëbyri, që kishte hedhur errësirën jashtë, diku në kopsht dhe gjithandej hapësirës së thellë të Dushkajës së harruar… Në atë kapërcim të shpejtë nga mërdhimi në djegie, nga terri në dritë, hetoi lodhje. Ndjeu se gjymtyrët i ishin shkallmuar nga një peshë e madhe, shumë e madhe, që i bëhej se i kishte rënë sipër nga qielli dhe kur deshi të lirohej prej saj me një lëvizje të mundimshme, sikur ndjeu praninë e dikujt në dhomë. I habitur nga kjo, fluturimthi ua lëshoi sytë pikturave që i kishte pranë, siç i shikonte kur kërkonte për të vënë lidhje midis imagjinatës dhe realitetit, midis jetës dhe vdekjes, gjë që hetoi se çdo gjë ishte në vendin e vet dhe, as që mund të ishte ndryshe në atë botë të mbyllur dhe të ftohtë, të humbur në Dushkajën e harruar të kapluar me thera e murriza që e merrte për skajin e vetëm të virgjër të botës. Por, mbas pak, prapë ndjeu se diçka e padukshme po lëvizte në dhomë. Kjo iu kthye në një shqetësim, veçmas kur i përftoi një lëvizje e çuditshme midis pikturave, saqë disa prej tyre tashmë iu duk se kishin ndërruar edhe vendet?…

Një copë herë përcolli atë përthyerje vërshëllimash në tretje e sipër dhe mendja i shkoi se mund të kishte qenë ndonjë shkuj i pa hetuar, që kalimthi kishte thyer heshtjen. Kur pa se pikturat bashkë me sendet e dhomës ishin të qeta në vendet e tyre, deshi të besonte se në atë hapësirë shurdhe nuk kishte pasur ndonjë lëvizje, as zë, pos ndonjë përftimi kalimtar në mendjen e tij nga ato që pareshtur i silleshin dhe përsilleshin. Dhe kur po e bindte veten se asgjë nuk kishte ndodhur dhe as që mund të ndodhte në atë pjesë të humbur të botës, befas iu duk sikur pikturat kishin filluar me i thye kornizat. Ndërsa pëlhurat e shkëputura po liroheshin nga vijat e shumta dhe ngjyrat. Ashtu të grisura, krijonin pamjen e flamujve të leckosur… Trishtueshëm i mbylli sytë dhe deshi të çirrej dhe të kërkonte ndihmë madje, sado që e dinte se kjo as që mund të pritej prej shpirtrave të braktisur dhe atij hiçi në të cilin ishte zhytur, por ndodhi që pasi i hapi sytë për t’i parë përmasat e njëmendta të atij çrregullimi të jashtëzakonshëm me të cilin po përballej për herë të parë, hetoi se, si me urdhër, pëlhurat e grisura po futeshin në korniza, vijat po qetësoheshin, ngjyrat e trazuara po ktheheshin nga kishin vërshuar dhe,  mbas pak, e gjitha ishte si më parë…

Ah, tha, jam lëmsh… lëmsh i madh…

Me këto oshtima u përplas në shtrat me shpresën se paksa do të lirohej nga ndjenja e lëmshit që ia kishte sjellë parafytyrimi i pakmëparshëm i shkatërrimit të pikturave. Kur po kërkonte një përhumbje mendjeje për t’u shkëputur nga shqetësimet me të cilat përballej,  serish ishte zëri i pakmëparshëm, për të cilin mendonte se mund të ishte ndonjë përftim mendjeje, që po i thoshte se nuk kishte kurrfarë arsyeje për shqetësim…

Njëherë deshi të besonte se mund të ishte jehona e zërit të vet, e kthyer nga muret dhe heshtja e thellë e dhomës, siç ndodh rëndom kur shfryhej nga gulçet e brendshme, që nuk i mbikëqyrte dhe ato shpërthenin ashtu në atë hapësirë. Deshi të besonte se mund të ishin shqetësimet e ndryshme të kthyera në shfrime dhe klithje të shkapërderdhura me të cilat  ballafaqohej kur lodhej nga çapitjet e kota me gjithfarë parafytyrimesh dhe koka i kthehej në një vorbull të madh me çmos… Për dallim prej tyre, ishte një zë i hollë, shumë i hollë, i çuditshëm, që nuk ishte as i fëmijës, as i të rriturit e as i plakut, një si zë mize, që për pak u fashit dhe mendja ia tha se mund të ishte pikërisht ndonjë mizë që kishte kaluar rastësisht andejpari për t’iu bashkuar të shumtave me të cilat Dushkaja e harruar të kapluar nga thera dhe murriza ishte plot e përplot, madje edhe në kohë dimri…

Por, nuk vonoi, dhe e qeshura e thekshme e ngjashme me zukatjen e mizës, u kthye me një jehonë zhbiruese, që mbushi hapësirën anembanë.

Në atë përpëlitje, me jehonën shurdhuese të zërit që po i përplasej në kokë, brofi në këmbë. I hapi duart përpjetë sikur të kërkonte të pushtonte diçka me to, por shpejt i ranë poshtë si të këputura.

E qeshura, e kthyer në jehonë të ashpër nuk kishte të ndalur.

Më kot po mundohej që t’ia veçonte burimin.

Dhoma tashmë po ushtonte nga ajo jehonë trishtuese.

I pafuqishëm ta ndalë të qeshurën e thartë, gjithë shqetësim iu kthye pikturave të kyçura prej vitesh në atë hapësirë të mbyllur gjysmë të errët… Sikur t’u kërkonte falje për atë anashkalim, zuri t’i prekte me druajtje… Ato nuk po lëviznin… Ishin të heshtura si rëndom… Portretet e shumta po ashtu ruanin shikimet tinëzare… Ashtu, hetoi njëfarë afrie me to që i kishte munguar ngaherë… Duke kaluar nga njëra te tjetra, po mundohej të kuptonte mos ndonjë polip apo jokurrizor po nxirrte zë, ngaqë dikur dikush si me shaka i kishte thënë se ato qeniet që kishte mbyllur në pëlhurë, një ditë, mund të ndodhë që me ndonjë uluritje, të kërkojnë për me u lirue nga ajo gjendje e panatyrshme…

Ndoshta erdhi koha kur ato po kundërshtojnë në këtë mënyrë?… Krijuesit herdokur mund të ballafaqohen me mllefin ose edhe me kryeneçësinë e personazheve… Pse jo?…

Kjo, madje, sikur e ngushëlloi, ngaqë kishte krijuar diçka që nuk pajtohej me të, që e kundërshtonte madje…

Dhe kur po mundohej ta bindte veten se mund të ishte jehona e asaj përpëlitjeje të brendshme, si përftim, që vinte nga ato që kishte krijuar, ndjeu prapë Zërin e hollë që po i thoshte se nuk do ta shihte, por do të ballafaqohej me të ngaqë ishte koha për diçka të tillë…

Piktori u shtang. Zëri në hapësirën e dhomës, tashmë po fliste. Nga zukama e thekshme, kishte kaluar në fjalë. Deshi ta pyeste për ballafaqimin dhe për kohën për diçka të tillë, por ishte ndërhyrja e shpejtë e Zërit që po i thoshte se ishte kudo në ato që kishte krijuar dhe madje, edhe në ato që nuk i kishte krijuar dhe i kishin mbetur të shpërndara, gjë që këtë duhej ta dinte doemos…

Me sy e vesh të hapur, Piktori i trandur, një copë herë ndoqi fjalët, që po i vinin nga të gjitha anët me të cilat po i bëhej me dije se një si hije e padukshme, apo e ngjashme, ishte pjesë  e veprës së tij…

Është koha të ballafaqohesh me këtë të vërtetë…

 I hutuar pa masë dhe i turbulluar fare, Piktori filloi me u sjellë si pa kokë nëpër dhomë. Herë mbas here për pak ndalej para pikturave dhe më shikim zhbirues i pikaste me radhë sikur të kërkonte prej tyre atë pjesën e huaj që po i shfaqej si zë i padukshëm…

Ku je?… Ku?…

Çirrej para secilës pikturë, ndonëse ato i shihte të shtangura dhe me pluhurin e kamotshëm sipër…

“Kukuja”, megjithatë, nuk ishte në gjendje për me e ndalë Zërin e padukshëm që të përhapej me të madhe.

Dikur, pasi kërkoi çdo skutë dhe pasi zuri t’i përplaste brushat, ngjyrat dhe pëlhurat, filloi ta shpërthekonte edhe këmishën dhe të prekte edhe trupin e vet në të gjitha anët, sikur burimin ta kishte nga vetja. Në atë prekje, hetoi se lëkurën e kishte të ftohtë dhe të qullur, ndërsa kokën prush…

Diçka e jashtëzakonshme po ngjet, oshtiu… Ndoshta ky është fundi i pritshëm?…

Kot kërkon ashtu, Piktor. Kot…

Ku je?… Ku?… Kukuu?…

Kukuuja po përhapej si gjëmë…

Jam kudo, u dëgjua Zëri,

Kudo?…

Kudo, pra.

Nuk po të shoh…

As nuk do më shohësh, foli Zëri.

Je pjesë e ndonjë mashtrimi… Frymë e keqe?…

Assesi…

Piktori zuri veshtë me duar… Kërkonte shpëtim…

Është koha të ballafaqohesh me ato që kanë qenë të fshehura në ty, por që kanë vepruar edhe jashtë vullnetit tënd…

Sikur kam vepruar pavetëdijshëm?… Sikur nuk kam qenë në vete?… Sikur nuk kam qenë vetja?…

Mos harro se je krijues… E pavetëdijshmja  ushqen imagjinatën…  

Lëri dokrrat, tha Piktori… E di se ç’është imagjinata…

Duhet ta pranosh se brenda teje ka qenë një zë pa zë dhe një heshtje me zë...

Krijuesi hesht me zë dhe flete me heshtje… Gjëra të njohura…

Disa gjëra, megjithatë, nuk vërehen… Dukën si shpërthime çasti të pambikëqyrura… Herdokur u duhet shpjegimi…   

Ah, lëri shpjegimet. Unë di se kam qenë kryeneç edhe pa zë, siç thua, por po ashtu, kam qenë edhe dështak i zëshëm, nëse mund të thuhet kështu…

Sikur nuk je liruar nga mjegulla, Piktor. Të tillët janë memecë ose të marrë…

Quaj si të duash, por unë kam qenë i tillë…

Zëri iu kthye së qeshurës. Kryeneç dhe i heshtur?… Dështak dhe i zëshëm?… Nuk thonë kot se krijuesit janë edhe të çmendur…

Mund të fyesh sa të duash. Këtë edhe mund ta kesh për detyrë. Por, krijimtaria është kryeneçësi, ndërsa zhurma dështim… Së paku unë i shoh të tilla…  Megjithatë, Piktor, duhet të pranosh gjendjen e jetës pa zë dhe zërin pa jetë… Me këtë sikur pajtohen qëndrimet e kundërta, apo jo?…

Lëri metaforat… Ato i nënshtrohen frymëzimit…

Janë gjendje të brendshme, që dalin në pah, tha Zëri.

Metaforat janë metafora… Mund të pranohet se ka jetë pa jetë, siç ka edhe jetë hiçi, por assesi që çdo gjë është e pakuptim…

Sikur e përjashtoni jetën e dyfishtë, Piktor?…

Nuk e pranoj atë…

Po mbijetimin?…

Mbijetimi është një gjendje për me jetue dosido…

Pra, jetë pa zë, ose zë pa jetë?

Prapë me metafora?…

Nuk janë metafora, por pikërisht pjesë e asaj dosido që nuk mund ta mohosh…

Kam shprehur një shqetësimi dhe pakënaqësi ndaj një bote me të cilën nuk jam pajtuar e as që do të pajtohem ndonjëherë…

Pra, iu ke nënshtruar shqetësimit krijues, pyeti Zëri?

Krijuesit shqetësimin e kanë fat, edhe mallkim madje…

Këtu pajtohemi…

Piktori heshti. Mendja po ia thoshte sikur e gjitha e atij shqetësimi po merrte fund, dhe se Zëri i padukshëm, si ndonjë përftim rasti, ashtu siç ishte shfaqur mund të treste…

Por, nuk vonoi, dhe Zëri prapë po i fliste për dy gjendjet e kundërta, atë të zërit pa jetë dhe të jetës pa zë, nëpër të cilat kishin kaluar së bashku, si pjesë e mbijetimit…

Piktori, prapë kundërshtoi me sa zë kishte. Tha se përkundër hamendjeve të shumta dhe të pandalshme, ishte vetvetja dhe se nuk e kishte ndërmend të heqë dorë prej këtij qëndrimi, e aq më pak të pranonte “bashkëjetesën” me dikë “të panjohur”, pa marrë parasysh përndjekjen që po i bëhej edhe në këtë mënyrë…

Nuk bëhet fjalë për përndjekje as shqetësim dhe as që e kam ndërmend këtë, meqë do t’i bëja dëm edhe vetes, foli Zëri. Nuk të kam shqetësuar asnjëherë edhe pse kam pasur arsye të mira për këtë, veçmas kur gjatë pikturimit ke deformuar fytyrat e njerëzve. Ke hedhur vija që kanë mbyllur hapësirat e me këtë ke zënë edhe frymëmarrjen e të tjerëve. Mandej, kur ke hartuar gjithfarë rrëfimesh me anën e ngjyrave të përziera panatyrshëm, ndërsa unë kam vepruar si shqetësim, që e ke ndjerë gjithnjë nga brenda…

Prapë me përcjellje të padukshme?…

Kemi qenë bashkë…

Gjepura!… Kam qenë vetëm dhe do të mbes i vetmuar përgjithmonë…

Kemi qenë bashkë nga çastet e para, prej më shumë se gjashtëdhjetë vjetësh. Nga koha kur po i hidhje vijat e para në letër. Shqetësimi yt krijues, përherë ka kaluar nëpër këto gjendje. Sado që nuk i ke dalluar sa duhet dhe kjo as që ka qenë e nevojshme. Ngaqë ato kanë plotësuar njëra-tjetrën dhe ndodh që kjo bashkëjetesë mbetet përherë e pashquar… Ndaj, jam këtu që të sqarohet ajo që paraqet kundërthënien e brendshme pa të cilën nuk ka njeri e as krijimtari…

Piktori heshti. Fjalët e fundit sikur po e drejtonin nga një vrimë e errët nëpër të cilën duhej të kalonte doemos me anën e një përpëlitjeje nëpër kujtesë nga ato që po ia rikujtonte Zëri kur po i thoshte: “A të kujtohet ai çardaku i shtëpisë së vjetër dhe vijat e shtrembëta në pjesën ballore të murit, që i le sikur të ishin ndonjë gërvishtje e ndonjë fëmije që luan me laps?… A nuk heshtje kur jot amë zuri të ankohej se dikush kishte prishur murin me shkarravitje?… A nuk të kujtohen ato vizatimet në të cilat rropateshe që në to të paraqitej edhe gjendja emocionale e personazheve, ku do të bashkëjetonin ngjyra dhe tingulli?… Atëbotë mendoje me të madhe për diçka të tillë, që pamja të ishte sa më jetësore, pasqyrë e një gjendjeje të jashtme dhe të brendshme, e ngjyrave dhe e tingujve, diçka që ishte e pamundur, por që krijuesit kanë të drejtë ta kërkojnë… E, pra, t’i njoh të gjitha iluzionet. T’i njoh të gjitha ëndrrat… T’i di dobësitë dhe vrullet, siç t’i njoh edhe ndjenjat. Ndonëse je munduar që atyre t’ua mbyllësh të gjitha shtigjet ngaqë ke menduar se të tradhtojnë…”

Kështu, ato që po i dëgjonte, thuajse detyrimisht Piktorit po ia rikthenin përfytyrimin e një kohë të largët, por  njëherësh edhe tepër e afërt, një si përzierje mallëngjimi…

Kemi qenë bashkë, tha Zëri, në dy skaje të së njëjtës…

Assesi, tha Piktori. Assesi. Kam qenë vetvetja… Mund ta pranoj vetëm shqetësimin që më ka përcjellë vazhdimisht…

Quaje si të duash, Piktor. Por, ne kemi qenë bashkë gjatë gjithë kohës…

Kam qenë vetëm!…Vetëm dhe vetëm!… Assesi ndryshe!…

Megjithatë, ndërhyrjet e Zërit, me ato që më përpikëri të madhe po ia shpalosnin faqet e jetës deri në hollësi, ndjeu se po ia humbnin fuqinë e të menduarit saqë nuk i mbetej tjetër pos i shtrirë në shtrat me shikim të ngrirë në një pik të tavanit, të kundërshtonte dhe të kundërshtonte deri sa t’i sosej fryma, ndërkohë që Zëri po i thoshte se i dinte të gjitha, të gjitha.

Nuk them që nuk i di të gjitha, po pëshpëriste me gjysmë zëri Piktori. Por, kjo nuk do të thotë se të pranoj si pjesë timen… Kjo do të më shkatërronte përgjithmonë… Sepse, unë – është vetvetja. Ndërsa ne – paraqet  masën, turmën, grigjën… 

Lëri çapitjet, Piktor…

Nuk ke qenë pjesë e imja, shfreu Piktori. Nuk ke qenë e as nuk ke me qenë!… Je vetë mashtrimi…

Zëri prapë iu kthye së qeshurës.

Piktori ndjeu se po i sosej fryma…

Mos më nënçmo!… Lemë të qetë në grahmën e fundit!…

Pas një heshtje shurdhuese, kur mendoi se mos shqetësimi po merrte fund, Piktori ndjeu që Zëri po i fliste për një kusht për ta lënë të lirë…

Duhet të përballemi me anën e një loje.

Me lojë?… Je në vete?…

Me lojë…

Nuk jam lojtar…

Lëri fjalët e kota kur e di mirë se gjithë jetën ke bërë përpjekje që me anë të heshtjes të fitosh në një lojë të pashpallur midis nënshtrimit si gjendje dhe gjendjes së hiçit

Pse po i ngatërron parimet dhe qëndrimet jetësore me lojërat kur e di se janë të papajtueshme?… Mos me mundo kot, të paça!

Nuk po të mundoj. Nuk po të mundoj, ia ktheu Zëri. Është fjala për një përballje të pashmangshme, që një ditë patjetër vjen…

Krijuesit nuk i  pranojnë përballjet e tilla të panatyrshme…

Megjithatë, janë të pashmangshme…

Piktori po çapiste për dhunën dhe detyrimin…

Zëri i tha se përballja bëhej me lojën e cicmicit.

Cicmici nuk është lojë. Është arenë sadiste, foli Piktori.

Merre si ta duash. Por, ne duhet t’i japim fund përballjes në një loje në të cilën jemi të përfshirë, e pranuam apo nuk e pranuam këtë… Po fitove je i lirë… Nuk të shqetësoj më…

U dashka një lojë që të fitohet ajo që të takon?… Loja duhet të përcaktojë atë që je?…

Ky është kushti, tha Zëri… Vetë jeta është kusht, apo jo?…

Loja?…Vetvetja?… Humbja?…

Çfarë janë këto mendime të trishtueshme për lojën, për humbjen kur ato janë pjesë e teatrit të jetës, një drame të pa fund…

Jetën nuk e kam parë si lojë dhe as që dua ta shoh të tillë, tha Piktori, meqë kjo do të më kthente në një lojtar, i cili, me të gjitha mjetet e lejueshme dhe të palejueshme rëndom lufton për pushtet, lufton për diçka të përkohshme, ose për një kënaqësi e të ngjashme… Krijuesit nuk i interesojnë lojërat e as fati i tyre… I interesojnë veprat, edhe pse ato ia krijojnë përshtypjen e humbësit të përhershëm, siç është në të vërtetë, paçka se këtë nuk e pranon…

E, pra, Piktor, nëse nuk e pranon se jeta është një lojë me lojtarë të shumtë, një dramë,  që e ka edhe fundin e pashmangshëm dhe, meqë nuk e pranon humbjen, atëherë duhet ta pranosh lojën e jetës, si një teatër, ku aktrimi është i përhershëm…

Piktori për pak heshti.

Nuk mund të kthehem në lojtar… Nuk mundem… Po ashtu, as në aktor, meqë edhe ai është lojtar, sado që luan në skenë…  

Pa marrë parasysh si i sheh gjërat, lojën e ke të pashmangshme… E ke fat… Si lojtar, ose si aktor… Krejt një… Vetëm nëpër mes saj sprovohet ajo që e quan vetvetja… Karakteri i njeriu sprovohet në lojë… Këtë e di sekush…

Loja si sprovë?… Kusht?… Ky është një mallkim i rëndë!…

Sidoqoftë, Piktor, ke përpara mundësinë që jetën ta marrësh si lojë, pra si diçka që ka fund, me fitues dhe humbës, me përfitues dhe viktima, me shtypës dhe të shtypur… Apo, lojën ta marrësh si jetë, një si aktrim të përhershëm, me shumë e shumë role në një skenë të hapur me drama që përsëriten dhe përsëriten pafundësisht… Nuk ke zgjidhje tjetër… E para të kthen në lojtar, në humbës të përhershëm, qoftë edhe si perandor. Ndërsa e dyta të kthen në aktor, në një maskë të përhershme, që ndërron role, jashtë çdo përgjegjësie për ato çfarë ndodhin…

Nga përplasja e fjalëve lojtar dhe aktor me maskë ndjeu se po ligështohej, se po i rëndohej frymëmarrja, po i  turbullohej edhe koka. Nuk ia kishte marrë mendja se fati i gjithë asaj që kishte krijuar një jetë të terë do të varej nga ballafaqimi me një lojë si lojtar, ose si aktor në një dramë të përhershme me role të ndryshme me dikë që e kishte përcjellë dhe e kushtëzonte  në një mënyrë të tillë… Sikur të kërkonte njëfarë ngushëllimi që në atë gjendje të kushtëzuar ndodhej në një lojë të jetës, pra në një betejë për jetën, që duhej ta luante në mënyrë që ajo të kthehej në një kuptim dhe qëllim, madje në përputhje me idealet e një krijuesi, ndonëse i vetmuar dhe i ndjekur nga të gjitha anët, zuri ta parafytyronte cicmicin si një skenë të përhershme, ku fitonte dredhia dhe mashtrimi… Me vështirësi, përpara iu formësua një copë dërrase e Dushkajës me tri palë vija të mbyllura në katrorë të rrasur njëri në tjetrin dhe po aq palë vija horizontale dhe vertikale që prehen mes veti në dymbëdhjetë puqje. Vijat shfaqeshin të qeta, të heshtura. Në pikat e puqjeve sikur po i shihte të rendnin gurët e bardhë e të zinj, në ato përpjekjet e tyre për t’u forcuar sa më tepër, që nënkuptonte heqjen e kundërshtarit nga loja. Asaj duhej t’i paraprinte rreshtimi në hapësirë, pra për kyçin, që e shihte si luftë për jetë a vdekje, ku kyçi nuk ishte tjetër pos istikam mbytës për njërin dhe triumfues për tjetrin. Përmbysja midis jetës e vdekjes, pra midis fitores dhe humbjes, kalonte nëpërmes marifetit të cekës, që shfaqej si pjesë e zgjidhjes, të ngjashme me atë të dramës, ku tragjedia merr epilogun e pashmangshëm… Duke e parë veten pjesë të një tragjedie antike, po zhytej ngadalë në istikame dhe po kërkonte diç të fshehtë në to, ndoshta shkakun e flijimit madhështor, që dramat i kthente në tragjedi të përhershme… Në atë përpëlitje, madje, kujtoi se po kthehej në një personazh të dramave antike, në një si hero të pavdekshëm dhe,  kjo, sikur i pëlqeu dhe me dëshirë do të mbetej në atë skenë të mjegulluar, ngaqë kjo e shkëpuste nga mbërthimi i rrudhur i botës së Dushkajës së harruar, të kapluar nga thera e murriza, por dëgjoi Zërin që po i thoshte se loja, që ai tashmë e theksoi e jetës, duhej të fillonte sa më parë.

Në një si përmendje shalakatëse, gjithnjë me pjesët e tragjedive antike në kokë që po i kreshpëroheshin, deshi t’i thoshte që mos ta përmendte më fjalën lojë, qoftë edhe e jetës për jetën, por dramë, tragjedi ose edhe luftë madje, po ishte Zëri që i tha se loja mund të zgjasë deri në mëngjes, deri në ferkun e agimit, ngaqë është drita që i jep fund çështjes…

Kjo ka të bëjë me ligjet e kohës… Ato janë të pathyeshme qoftë edhe në Dushkajën e harruar ku ato ngatërrohen përherë…

Fjalët për dritën që i jep fund çështjes se si i mori të ngjashme me atë “deus ex machina”, të fundit të tragjedive antike, që edhe do ta pranonte disi po të mos ishte pamja e zvogëluar e dërrasës së cicmicit e ngjashme me përmasat e botës së rrudhur të Dushkajës së harruar të kapluar nga thera e murriza, që po i rrinte para dhe, edhe përfytyrimin e tragjedive antike, po ia kthente në një realitet të dhunshëm, në të cilin do të përulej. Duhet për me i ikë dritës që i lakuriqëson gjërat, mendoi, meqë pamja e tyre  neverit… Kjo është dëshpëruese, por e pashmangshme…

Me këto mendime në kokë, Piktori, pyeti rreth vazhdimeve të mundshme.           

Vetë deshe lojën e jetës, një dramë me shumë akte, që ka fundin e vet dhe jo jetën si lojë, një përsëritje dhe përsëritje të përhershme me humbës dhe fitimtarë…

Pas një mëdyshjeje Piktori tha se kësaj nuk i thonë lojë e jetës, por lojë me jetën, me diçka që ka kaluar dhe e pret gjykimi i padrejtë…

Fati i krijimtarisë duhet të ndahet nga ai i krijuesit, sado që shpesh janë të pandashme…

Ato janë të ndara, edhe pse dëshirohet të shihen të lidhura, tha Zëri.

Në Dushkajën e harruar të kapluar me thera e murriza është ndryshe, foli Piktori mundimshëm…

Je nga pak egoist, Piktor, kur përpiqesh që ta përvetësosh krijimtarinë, tha Zëri. Po harron se, në njëfarë mënyre, akti krijues, të shumtën, është një art përvetësimi nga të tjerët, një përsëritje e vazhdueshme, pale si quhet… Po ashtu, po harron, se kam qenë gjithnjë me ty. A nuk të fola pak më parë për çardakun dhe ushtarët e çuditshëm, të cilët i shihje të ktheheshin nga betejat e përgjakshme me ato këngët e gjata të ngjashme me gjëmat?… Ti, ndoshta, disa prej atyre pamjeve edhe mund t’i kesh harruar, por unë jo. Ti tregoj të gjitha, po deshe. Pra, po humbe ti, edhe unë humbi pjesën time. A nuk është kështu?… E tillë është loja e jetës, që po deshe për me e pranue rolin e lojtarit me shumë fytyra, mund ta kthesh edhe në lojë koti…

Piktori deshi të fliste diçka, por fjalët po i ziheshin nyje. Kjo i solli djersë. Po  mbërthehej me të dridhura të shumta, që herë pas here i ktheheshin në zjarrmi… Ndryshimi ftohtë-nxehtë, akull-zjarr, po ia zinte frymën…

Domethënë, foli mundimshëm Piktori pas atij mundimi, nuk paskam qenë vetëm?… Edhe dikush paska pjesë në atë që kam krijuar, sado që gjatë këtyre gjashtëdhjetë vjetësh krijimtarie jo vetëm që ndjehesha i vetmuar, por edhe i harruar qëllimisht nga të tjerët?…

Një copë herë mbllaçiti fjalët për vetminë mashtrimtare…

Këtë nuk mund ta pranoj, tha sikur të paralajmëronte largimin nga loja. Sepse,  privimi nga ndjenja e të qenit vetvetja,  nga uni, do të thotë të jetosh pa besim, pa fuqi… Pa këto krijuesi  vdes…

Lerë fuqinë… Krijuesit i vret fuqia… Në lojë mund ta aktrosh dijen dhe fuqinë njëherësh dhe prapë të mbetesh hiq…

Piktori deshi të thoshte diçka rreth asaj pse besimin në vetvete, si ego, e merrte si fuqi, si liri, ndërsa pluralin si nënshtrim, por hoq dorë nga frika se mund të ishte mbllaçitja që do t’ua ngatërronte kuptimet…

Ke ankthe… Loja të liron prej tyre, i tha Zëri.

Jo loja, po beteja, lufta…

Quaje si të duash, tha Zëri. Krijuesit lojën e shohin si luftë, e luftën si lojë… Ky ngatërrimi ata i bën të papërfillshëm, nganjëherë  të lajthitur, e nganjëherë i kthen në profet… Sidoqoftë, tash ke përpara gurët e bardhë apo të zitë… Me të bardhët fillohet, ndërsa me të zitë, vazhdohet… Në parim, fillimi do të thotë sulm, ndërsa vazhdimi mbrojtje… Kjo, megjithatë, mund të ndryshohet… Varet nga lojtari…

Kjo e ktheu te realiteti i të qenit lojtar…

Zgjedh ti, foli Piktori, sikur të dëshironte për me u largue paksa nga të menduarit se loja e kthente në lojtar, në aktor, në djall, në palaço…

Zëri ia ktheu se radha i takonte atij, ngaqë dëshironte ta nderonte…

Të jesh lojtar, nuk është kurrfarë nderi, foli Piktori… Përkundrazi…

Ç’e do që loja e do lojtarin, drama e do aktorin, jeta të dyja…

Megjithatë, nuk do të zgjedh, sepse nuk më pëlqejnë rregullat që kthehen në urdhra…

Sidoqoftë, tha Zëri, loja i ka rregullat e veta, të cilave duhet përmbajtur…

Nuk e dua rolin e atij që sulmon, tha Piktori…

Nuk është e thënë se duhet të sulmosh për me fitue… Përkundrazi, loja mund të fitohet edhe me mbrojtje…

Fjala “mbrojtje” nuk i pëlqeu Piktorit… Deshi të thoshte se për të ajo ishte e barasvlershme me ikjen, fshehjen e të ngjashme, por hoq dorë, ngaqë do të duhej të merrej me çështje që rëndom ngatërrohej…

Sikur t’ia kuptonte hutimin, Zëri i tha se po i merrte gurëzit e zi…

Të mbesin të bardhët… Që do të thotë se ti je sulmues, ndërsa unë i sulmuar…

Kur i tha këto Zëri, ora ra nëntë herë.

Rrjetet sociale