Kongresi i Berlinit dhe Lidhja Shqiptare 1878

[Shkarkoje librin]

Parathënie

Kongresi i Berlinit i vitit 1878, gjithsesi ngjarja më e madhe e kohës në planin politik, por edhe në atë diplomatik, e cila, me vendimet e veta do të ndikojë në zhvillimet e gjithmbarshme historike evropiane, po edhe më gjerë, për t´ua hapur rrugën pikërisht atyre koniunkturave me të cilat do të ushqehen sfera të ndryshme të interesit, që do të arrijnë edhe deri te ditët tona, pra ky Kongres do të ndikojë drejtpërsëdrejti që Lidhja Shqiptare e Prizrenit, jo vetëm të themelohet, por njëherësh të marrë edhe kahun që fillimisht kishte (me kërkesën e ruajtjes së etnisë shqiptare) dhe të ruajë edhe kërkesën e saj kryesore për autonomi brenda një vilajeti shqiptar (që do të përfshinte katër vilajetet e deriatëhershme: të Shkodrës, të Kosovës, të Manastirit dhe të Janinës), kërkesë kjo që e tillë do të mbetet në të gjitha fazat, si një përcaktim historik me shumë dilema dhe vështirësi madje, që do t´ua hap udhën zhvillimeve që do të shpien te shpallja e pavarësisë së shtetit shqiptar, në nëntorin e vitit 1912.

Në gjithë këtë zhvillim, Kongresi i Berlinit, nga historiografia shqiptare të shumtën e herës është trajtuar, por edhe është parë në përputhje me stereotipat ideologjike të fajësimit të të tjerëve, veçmas të Evropës dhe të Perëndimit dhe të kërkimit me çdo kusht të prapaskenave dhe të armiqve, edhe aty ku nuk mund të kishte, pa as më të voglën frymë kritike ndaj sjelljes së shqiptarëve – se a mund të ishte edhe ndryshe, veçmas në rrethanat e kthesave të mëdha historike, kur kërkoheshin rreshtime të tjera. Kësaj përqasjeje të nevojshme megjithatë ia kanë zënë vendin, në njërën anë shikimet bardhezi, dhe në tjetrën anë idealizimet me patetikë folklorike, të cilat ua kanë mbyllur rrugën të gjitha këndvështrimeve objektive.

Andaj, në përputhje me këtë, vlerësimi i Kongresit të Berlinit duhet të bëhet nga pikëpamja e atyre proceseve që ka ndaluar dhe penguar, siç ishin ato që paqja e Shën Stefanit do t´ua hapte rrugën dhe, po ashtu duhet të shihet edhe nga pikëpamja e çështjeve që do të nxjerrë në skenë, për t´i bartur ato në një sfond dinamik gjeostrategjik, në të cilin edhe më tutje përvijohen thuajse stereotipat e njëjta të ndeshjes së sferave të interesit perëndim – lindje të një intensiteti të lartë, ku edhe çështja shqiptare dhe problematika e saj e gjithmbarshme në dritën e këtyre përpëlitjeve ka fituar të drejtën e faktorit të pakapërcyeshëm, me çka asaj i shtohen gjasat që të luftojë për zgjidhjen përfundimtare gjithnjë e vetëdijshme se nuk mund t´i shpëtojë involvimeve që imponon gjeostrategjia dhe gjeopolitika. Zhvillimet pas luftës së parë botërore, asaj të dytës, dhe sidomos ato që do të shfaqen në arenën politike botërore pas rënies së bipolaritetit blokist dhe luftës së ftohtë, do t´i japin të drejtë këtij kundrimi.

Me zhvillimet tejet të papërshtatshme për interesat jetësore evropiane-perëndimore, që mund të thuhet se Kongresi i Berlinit në njëfarë mënyre i ka ndërprerë pa ua mbyllur udhën përfundimisht, por edhe të atyre që ka hapur – me ç’rast janë shfaqur edhe kriza dhe probleme të shumta, të cilat janë bartur deri te ditët tona, dhe disa prej tyre edhe më tutje mbesin që ta fitojnë epilogun në përputhje me atë që quhet frymë e re e integrimeve evropiane dhe rend i ri botëror – është marrë edhe në një simpozium të madh ndërkombëtar në Majnc, i mbajtur në qershor të vitit 1978, me rastin e 100 – vjetorit të Kongresit të Berlinit. Në këtë tubim për herë të parë është hedhur teza e parjes në një frymë tjetër të Kongresit të Berlinit në përputhje me dioptrinë gjeostrategjike dhe gjeopolitike të skenës politike, që gamën e deritanishme të vlerësimeve të ngurtësuara, e bart në një hapësirë shumë e shumë më të gjerë prej nga shihen të shfaqen binarët e përmasave globale, të cilët kanë mbetur të njëjtë. Në simpoziumin e Majncit është thënë se Kongresi i Berlinit, zhvlerësoi vendimet e Shën Stefanit dhe njëherësh Rusisë për pak ia ndali marshimin hegjemonist drejt Ballkanit, por nuk ia doli që ndikimin e saj ta zvogëlojë sa duhej apo ta përjashtonte fare nga skena politike evropiane. Ajo edhe më tutje, në raport me sllavët e jugut dhe vendet ortodokse, do të ruajë kursin ekspansionist me të cilin synonte shtrirjen e ndikimit në pjesën juglindore të kontinentit edhe pse kjo binte në kundërshtim me interesat jetike të Perëndimit në përgjithësi. Kjo më së miri do të shihej në fund të luftës së dytë botërore kur Rusia do të shfrytëzojë luftën e koalicionit antifashist për t´u kthyer thuajse triumfalisht në skenën politike evropiane dhe atë botërore dhe këtë do ta bëjë me anën e ideologjisë komuniste, të cilën do ta kthejë në një mjet tjetër hegjemonist për të ndikuar gjithë ato zhvillime antagoniste që do të marrin përmasat e konfrontimit blokist mbi bazat e luftës së ftohtë, që për gjysmë shekulli botën do ta mbajë nën ethe. Edhe pas shpërbërjes së Paktit të Varshavës dhe shkatërrimit të imperisë së kuqe sovjetike, nën petkun e shtetit demokratik, pas disa vjetësh përpëlitjesh me kriza të brendshme, Rusia po përpiqet që me anën e resurseve të mëdha energjetike që ka, gjeoekoniminë ta përdor për qëllime gjeopolitike dhe gjeostrategjike, ku nuk fshihen ambiciet e vjetra hegjemoniste, të cilat jo rastësisht fokusohen në Ballkan dhe jo rastësisht për aleatë kërkojnë serbët dhe Serbinë me ëndrrat shtetmadhe, të cilat edhe më tutje projektohen mbi hapësirën e etnisë shqiptare, por që po iu lejua hapësirë, me të shpejtë mund ta zgjerojnë gamën në gjithë rajonin.

Historiografia shqiptare, duke u liruar nga shabllonet ideologjike dhe ngarkesat e saj në të cilat është mbërthyer dhe, në përputhje me qasjen që mundëson lënda e bollshme arkivore dhe dokumentet tjera, nga ato që për arsye të ndryshme nuk janë hulumtuar dhe të tjerat që po dalin në dritë, duhet të marrë mundimin që Kongresin e Berlinit dhe vendimet e tij, ta rishikojë dhe ta vlerësojë pikë së pari nga aspekti kompleks i këndvështrimit të zhvillimeve dhe ngjarjeve që i paraprinë, veçmas për të parë raportet brenda për brenda shqiptarizmit ( patriotizmit veprues) si dhe i atyre që do të pasojnë gjatë dhe pas kësaj ngjarjeje (nacionalizmit kulturor që do të shkojë deri te ai politik) dhe faktorëve të tjerë mbi të cilin Rilindja ndërtoi platformën kombëtare për ta shtruar pastaj pyetjen se çfarë do të thoshte për Shqiptarët, e edhe për të tjerët në hapësirat ballkanike, po qe se do të mbetej në fuqi Paqja e Shën Stefanit dhe vendimet e tij?

 Pra, nëse mbështetemi te këto dilema të drejta, që i shtrohen secilit shqyrtim dhe rishqyrtim objektiv, ku Shën Stefani nuk duhet të shfaqet vetëm si referencë e thjeshtë për të bërë krahasimet, si thuhet, midis një loje me dy skenarë, por te lojërave të ndryshme me skenarë të hapur, mund të themi se Kongresi i Berlinit për Shqiptarët dhe interesat e tyre jetësore pati një rëndësi të madhe si për ato që ua mori (territoret që ua dha Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë), por edhe për ato që ua mundësoi dhe ua ofroi si shans të mëtutjeshëm ekzistencial, siç ishte rikthimi i vilajeteve shqiptare (qoftë i përkohshëm) nën mbikëqyrjen e Perandorisë Osmane, por edhe ndalja e hovit ekspansionist Rusisë, hov ky që kishte filluar qysh nga mesi i shekullit të tetëmbëdhjetë me Luftën e Krimesë, për të vazhduar me ato tetë luftërat e tjera kundër Perandorisë Osmane, deri te lufta e dimrit e viteve 1877-78, kur do të dalë fitimtare dhe armata e saj e ndodhur në Bosfor dhe përreth Stambollit, do ta detyrojë t´ia pranojë kushtet, ndër të cilat më i rëndësishmi ishte ai që aleatëve të saj Bullgarëve, Serbëve dhe Malaziasve, ua lëshonte pjesën më të madhe të Ballkanit në të cilën gjendej bërthama e etnisë shqiptare, pa të cilën vështirë që do të mund të sendërtohej pavarësia e shtetit shqiptar pas tridhjetë e katër vjetësh.

Por, që të mbahej Kongresi i Berlinit mbi bazën e qëndrimeve që do të sillte, pra që të zhbënte vendimet e Shën Stefanit dhe të anuloheshin shumë nga aktet e kryera me dhunë nga Rusia hegjemoniste, të cilat në një pjesë të madhe ishin kthyer në realitete tragjike, duhej parakushti i trysnisë ushtarake që do t´i bëhej Rusisë, që ajo ta kuptonte se gjithnjë nën pretekstin e mbrojtjes së interesave të sllavëve të Jugut në pjesët evropiane që mbante Perandoria Osmane, tashmë kishte kaluar „vijën e kuqe“ , të përcaktuar pikërisht në marrëveshjet e Parisit të vitit 1856. Dhe, këtë mund ta bënte vetëm Anglia, bashkë me Austro-Hungarinë, që do ta kishte edhe miratimin e të tjerëve, në radhë të parë të Gjermanisë, e cila pas bashkimit ishte në ngjitje të vrullshme dhe kërkonte vendin ndër fuqitë e mëdha të kohës, po edhe të Italisë, që kërkonte hapësira për të shtrirë ndikimin e vet tutje Adriatikut dhe në Afrikë, si dhe të Francës, e cila ishte e interesuar të kthente prestigjin pas humbjes së luftës me Gjermaninë para tetë vjetësh, kur kjo e fundit u bashkua. Natyrisht se Anglia për asnjë moment nuk hezitoi që Rusisë t´ia bënte me dije se në Shën Stefan kishte bërë hesapet pa hanxhinë. Ato që ajo i quante e drejtë e mbrojtjes së interesave të sllavëve të jugut dhe e ortodoksisë nën Perandorisë Osmane, nuk mund të ktheheshin në plaçkë lufte të saj që t´i përdorte kundër interesave të të tjerëve, aq më pak kundër evropianëve. Janë të njohura dy notat e ashpra që Anglia ia drejtoi Rusisë gjatë prillit dhe majit të atij viti, kur iu dha një afat prej një muaji që t´i bashkohej një marrëveshjeje të re paqësore, që do të anulonte vendimet e Shën Stefanit nëse nuk do që të ballafaqohet me një luftë drejtpërdrejt me ta. Vendosmërinë e Anglisë, të përkrahur edhe nga Austro-Hungaria, e pati të qartë edhe Bizmarku, i cili në përputhje me presionin gjithnjë në rritje, fitoi hapësirën për marrëveshje të reja që do të bëheshin në Kongresin e Berlinit. E mbështetur për muri nga kërcënimi anglez që ishte plot vendosmëri që të shkonte deri në fund në mbrojtje të interesave të saj jetike dhe nga frika se aleanca ushtarake Londër-Vjenë, në dukje si e pashmangshme, mund ta shpinte në një disfatë të rëndë ushtarake, por edhe politike dhe strategjike, me të cilën do të humbte krejt atë që gjatë tetë luftërave me Turqinë kishte fituar, Rusia lëshoi pe dhe pranoi Berlinin bashkë me ato vendime që do të merreshin aty. Në këtë mënyrë, në saje të gatishmërisë së Anglisë, që me Rusinë të hyhet në luftë, dukshëm u luhat edhe planimetria e konceptit të sferave të interesit në Ballkan dhe ndaj mbështetësve të saj potencialë, siç ishin konsideruar sllavët e Jugut. Se bllanko përkrahja sllavëve të jugut, që tashmë ç´prej kohësh po e gëzonin, nuk do të ishte e tillë, do të pasqyrohet edhe gjatë vetë mbajtjes së Kongresit të Berlinit, kur përfaqësuesi i Anglisë, vendimin që Bosnja dhe Hercegovina t´i jepet nën mbikëqyrje të drejtpërdrejtë Austro-Hungarisë, e arsyetoi me qëndrimin se nuk duhet lejuar që popujt tjerë të kësaj hapësire (pra ata jo sllavë), t´u lihen shteteve të sllavëve të jugut (Serbisë dhe Malit të Zi), sepse janë shtypës, që nuk durojnë barazinë e të tjerëve.

Ndonëse në Berlin Serbia dhe Mali i Zi do të fitojnë pavarësinë, Anglia e pati të qartë që rikthimi i Perandorisë Osmane në pjesën evropiane, kur do t´i shkonte koha, nuk do të thoshte që me çdo kusht hapësira e asaj mbetjeje duhej t´u rezervohej ekskluzivisht si mundësi zgjerimi shteteve të sllavëve të Jugut si shpërblim që të ruanin kursin perëndimor, por ajo zu të shihet edhe në një planimetri tjetër, pra edhe për shqiptarët dhe shtetin e tyre të ardhshëm në të, meqë shfaqeshin si faktor i vetëm në atë pjesë strategjike që mund t´u shkonte përshtati interesave të perëndimit kundër hegjemonizmit rus. Bazuar në disa dokumente të kohës, siç janë relacionet diplomatike që dalin nga puna e Komisionit të Konferencës së Berlinit në nivel të ambasadorëve, që për tre vjet me radhë u mor me implementimin e vendimeve të Kongresit, por duke u bazuar edhe në vlerësimet e shtypit gjerman ndaj çështjes shqiptare, i cili para dhe pas Kongresit të Berlinit haptas mori anën e Shqiptarëve – duke i paraqitur si popull i vjetër evropian dhe themel i tij, në të cilin edhe më tutje duhej të mbështetej po qe se dëshiron të mbrohet nga pansllavizmi dhe rreziqet e tij dhe të ngjashme – hetohet qartas se koncepti i Anglisë, e më vonë edhe i Vjenës dhe i Berlinit, rreth variantit përfundimtar të mozaikut shtetëror në Ballkan nuk përjashtonte Shqiptarët dhe shtetin e tyre si mbështetës të tyre. Ky opsion – që do të gjejë pasqyrim për herë të parë në maj të vitit 1880 në Konferencën e Kostandinopojës me deponimin zyrtar të forin ofisit të Anglisë tek ministri i jashtëm turk rreth krijimit të vilajetit të përbashkët autonom shqiptar prej katër sosh (atij të Shkodrës, të Kosovës, të Manastirit dhe të Janinës) – si i hapur, më vonë, pas arritjes së „zweibundit“ dhe „dreibundit“, në forma të ndryshme dhe në përputhje me koniunktura të caktuara të secilit veç e veç, do të përkrahet edhe nga Berlini, Vjena por edhe nga Roma.

Megjithatë, kthimi formal i Perandorisë Osmane në hapësirat e mëparshme, vlimeve të filluara dhe lëvizjeve për pavarësi kombëtare nuk ua kishte vënë gjendjen e status quos, siç proklamohej aty-këtu. Përkundrazi, njohja e shteteve të pavarura ( të Serbisë e të Malit të Zi, të zgjeruara me disa vise shqiptare, zgjerimi i Greqisë në dëm të shqiptarëve, po ashtu edhe degradimi i Bullgarisë nga shteti i madh, që e kishte bërë paqja e Shën Stefanit dhe ndarja e tij në dy pjesë autonome) nuk do të ndalë proceset e filluara, pos që ato do të mbikëqyren që të mos përsëritet më Shën Stefani, që do të thotë se evropianët e kishin të qartë se Rusia duhej të mbahej sa më larg tyre, pa marrë parasysh ndikimin që edhe më tutje do ta ushtronte te vendet sllavo-ortodokse, Serbia, Mali i Zi, Bullgaria, Rumunia po edhe mbi Greqinë.

Kjo vlente edhe për Shqiptarët, të cilët, të vetëdijshëm se koha po ecën mbi binarë të tjerë historikë dhe jo si përpara, kërkuan t´u përshtaten rrethanave, paçka e patën më së vështiri, meqë për kundërshtarë patën në njërën anë vonesën historike si komb, dhe në tjetrën anë sferat e interesit mbi të cilat projektohej e ardhmja e hapësirës evropiane të Perandorisë Osmane pas largimit të saj përfundimtar, që shfaqej si proces i pashmangshëm.

Shikuar nga distanca historike, përcaktimi shqiptar që doli nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit (mbrojtja e trojeve shqiptare nga copëtimi bashkë me kërkesën për një autonomi brenda për brena Perandorisë Osmane) ishte më i arsyeshmi në ato rrethana, ani pse në një kohë kur kërkohej që këto interesa të mbroheshin nën ombrellën e Portës, qoftë të përkohshme, ose me ndihmën e saj, nxiste edhe më disponimin e evropianëve kundër tyre, që propaganda serbe dhe ajo sllavo-ortodokse në përgjithësi e kishte sforcuar me të madhe prej shumë kohësh saqë përcaktimin shqiptar për “bashkëjetesë” të mëtutjeshme me osmanët, por me autonomi të brendshme, që shkonte kah krijimi i shtetit shqiptar “kur për të do të piqeshin kushtet” ta kthente në një gogol antikrishten me qëllim që ata t´i përjashtonte prej hapësirës që u ishte paraparë shteteve të ardhshme të sllavëve të jugut me çka do të krijoheshin rrethanat për dominimin e plotë të Evropës juglindore nga sllavo-ortodoksët. Nga kjo pikëpamje mund të thuhet se Kongresi i Berlinit, edhe pse do t´i dëmtojë Shqiptarët duke u marrë disa territore, të cilat iu dhanë fqinjëve (Serbëve, Malazezve dhe Grekëve), edhe pse nuk do t´i përfillë kërkesat e tyre të drejta për autonomi me arsyetimet se nuk ishin liruar nga kurthi i miletit-osman, megjithatë bashkë me të kuptuarit se ndodhën para asaj të rrosh apo mos të rrosh, do t´ua lë në dispozicion kohën prej tridhjetë e katër vjetësh dhe shansin real që t´i realizojnë aspiratat historike, që edhe do ta shfrytëzojnë kur perdja osmane në Ballkan përfundimisht po binte. Dhe, me këtë akt madhor, Shqiptarëve do t´u hapet skena e shtetit të pavarur, edhe pse të cunguar (gjysma e etnisë mbeti jashtë), shfaqja e të cilit do të ushqejë gjithë ato përpjekje që nuk do të reshtin deri në sendërtimin e qëllimeve të përbashkëta.

Në këtë rrugë me shumë vështirësi që ndonjëherë shfaqej edhe si e mbyllur fare Shqiptarët do t´ia dalin të gjejnë shtegun e duhur, pikësëpari në saje të përcaktimit dhe vendosmërisë së tyre për pavarësi kombëtare dhe për liri në përbërje të identitetit euro-perëndimor, që do të kërkojë shumë e shumë sakrifica dhe shumë e shumë gjak dhe viktima, por edhe pse me demonstrimin e kësaj vendosmërie, më në fund, do t´ia dalin që të bëhen pjesë e atyre sferave të interesit, të cilave do t´u shkonte për shtati krijimi i shtetit shqiptar në Ballkan (sidomos Austro-Hungarisë, Italisë, Anglisë, por edhe Gjermanisë), si faktor i cili do të ruante balancën strategjike në raport me përpjekjet e vazhdueshme të hegjemonizmit rus që të depërtonte në këtë hapësirë me anën e shteteve të sllavëve të Jugut, që shfaqeshin si aleatë natyrorë të saj, edhe pse dikur mendohej se si shtete të pavarura do të paraqesin të kundërtën, pra frymën perëndimore. Me këtë pozicionit strategjik Shqiptarët do të gjejnë vendin e vet në skenën politike, prej nga më kohë do të fitojnë rëndësinë dhe peshën e pakapërcyeshme që nuk u ishte dhënë, ndërkohë që edhe mbrojtësit e frymës evropiane, ndonëse me vonesë, do ta pranojnë atë si faktor të pashmangshëm të strategjisë së tyre.

Botimi i parë në gjuhën shqipe i protokolleve të plota të Kongresit të Berlinit nga njëzet seancat që pati, bashkë me vendimet e tij të shoqëruara me versionin origjinal në frëngjishte dhe gjermanishte, si dhe me vendimet e Shën Stefanit, (sado që janë pak krahasuar me ato mijëra e mijëra dokumente që ruan Arkivi Politik i Ministrisë së Jashtme Gjermane, të cilat presin të vjelën pasi që të jenë seleksionuar dhe nxjerrë nga moria e të tjerave të kësaj problematike të përgjithshme), me siguri se do t´i ndihmojë pasqyrimit më të mirë të kësaj ngjarjeje me rëndësi historike, veçmas të heqjes së hipotekave dhe të përqasjeve të njëanshme që kanë ardhur si pasojë e mosnjohjes së tyre, ose nga një njohje e mangët dhe e keqinterpretuar qëllimisht nga të tjerët, sidomos nga historianë serbë, grekë dhe rusë, të cilët, për qëllime të njohura hegjemoniste kanë bërë çmos që Shqiptarët Evropës dhe në përgjithësi Perëndimit t’i paraqiten si armiq, ndërkohë që edhe Shqiptarëve Evropa t´u shfaqet si armike e përhershme.

Prishtinë, qershor 2008/2012

Rrjetet sociale