Kthesa historike – Vitet e Gjermanisë dhe epoka e LDK-së

[Shkarkoje librin]

Hyrja

Janë disa ngjarje që duken të rastësishme, por që shfaqja e tyre u prin kthesave të rëndësishme me të cilat lidhet një jetë e tërë. Në veprimtarinë time të gjatë prej gazetari dhe shkrimtari, që zë fill nga mesi i viteve të gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar për të vazhduar pandërprerë deri në ditët tona, pa mëdyshje se “rastësitë” që do të shihen se nuk ishin të rastësishme, punës sime do t’i japin vulën e veçantë.

E para “rastësi”, që lidhet me karrierën time prej gazetari, e cila pak më vonë do të marrë kahun më të lartë të ngritjes profesionale, ka të bëjë me nismën e rreshtimit, nëse mund të thuhet kështu, drejt politikës së jashtme për të më çuar në Gjermani si korrespodent i përhershëm atje, do të shfaqet në gushtin e vitit 1974 kur do të ndodhem në pushim në Greqi. Pa u filluar mirë, ai do të prishet nga grushtshteti në Qipro, me ç’ rast atje, dalja e ushtarakëve në skenën politike do të hapë kapitullin e përgjakshëm të një lufte ndëretnike midis popullatës shumicë greke dhe asaj pakicë turke, e cila për fat do të ndërpritet pas përfshirjes së Turqisë në këtë krizë, që për pasojë do të ketë ndarjen e ishullit në dy pjesë. Natyrisht se realiteti i ri i krijuar pas zbarkimit ushtarak të Turqisë në pjesën veriore të Qipros dhe shpalljes së saj shtet të turqve, për pasojë do të ketë çrregullime të mëdha në Athinë, të cilat do të shkaktojnë rënien e juntës ushtarake në Greqi. Si turist i mbyllur për tri ditë në një pushimore në afërsi të Kavallës nuk kisha si të mos përcjell atmosferën e atyre përvijimeve të mëdha që pasqyroheshin me shqetësimin e theksuar të popullatës greke ndaj atyre që ndodhnin në ishull dhe në fqinjësi, ku tashmë kërcënonte një luftë e hapur me Turqinë.

Natyrisht, se pas kthimit jo pa mundime në Prishtinë, puna e donte që në gazetën time të sillja diçka nga kjo atmosferë, e cila kishte zgjuar interesim te opinioni ynë meqë fjala ishte për një krizë ballkanike, që për herë të parë pas luftë së dytë botërore shkonte në prag të një lufte të hapur, edhe pse merrej me mend se nuk do të lejohej që të merrte përmasa më të gjëra ngaqë të dy këto shtete ishin anëtarë të Aleancës Veriatlantike, të cilës nuk i shkonte për shtati një konflikt në krahun jugor, që shtrihej në afërsi të Bashkimit Sovjetik.

Sidoqoftë, redaksia tregoi interesim për përshtypjet që do t’i hidhja në gazetë. Këtë interesim e bëri edhe më të madh kur redaksia e gazetës “Borba” nga Beogradi kërkoi lejen nga “Rilindja”, që shkrimet e mia, të merreshin prej saj me sqarimin e “korrespondencave speciale” nga “zona e luftës”, ku ruhej autorësia e gazetës sonë.

Kur pak më vonë nga kjo gazetë do të më vijë një falenderim dhe shkrimet e mia cilësoheshin si “kundrime tejet interesante” dhe e njëjta, natyrisht se do t’i adresohej edhe redaksisë së “Rilindjes”, ishte për t’u pritur që karriera ime e mëtutjeshme gazetareske të bartej nga rubrika e kulturës, ku kisha titullin e redaktorit dhe prej kohësh merresha me shkrimin e recensioneve për librat më të rinj, tek rubrika e jashtme, së cilës Redaksia kishte filluar t’i kushtojë vëmendje me përcaktimin që edhe gazeta jonë, si edhe të tjerat që merreshin si zëdhënëse të qendrave politike të vendit – ku edhe Kosova tashmë kishte vendin e vet në Federatë – të kishte korrespodentët e përhershëm në disa vende të botës.

Këtë përcaktim madje, pak më vonë do ta bëjë me dije edhe kryeredaktori Fadil Bujari kur do të shpallë qëndrimin e këshillit botues të “Rilindjes” për hapjen e korrespodenturës së parë të “Rilindjes” në Bon, që vinte pas asaj të Lindjes së Afërme në Liban, ku gazetari Nehat Islami punonte me shumë sukses.

“Gjermania te takon ty”, më tha Fadil Bujari.

Gjermania njëmend më takoi mua, dhe në Bon do ta filloj punën shumëvjeçare pasi që së pari u desh ta fitoj garën për të në konkursin e brendshëm, që u shpall nga ana e redaksisë, dhe pastaj, të dëshmoj njohuritë solide të gjuhës gjermane, të cilat i mora në një kurs intensiv njëvjeçar.

Edhe “rastësia” tjetër, ajo e vitit 1988, lidhet me pjesëmarrjen time në delegacionin e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës në bisedimet intelektuale shqiptaro-serbe në Beograd, do të ndikojë drejtpërdrejt, që të përfshihem në gjithë ato zhvillime të cilat do t’i takojnë konceptit të filozofisë politike të rezistencës civile që do të dalë në pah me themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës më 23 dhjetor të vitit të ardhshëm.

Bisedat ishin iniciuar nga politika zyrtare serbe e Beogradit, e cila në masë të madhe ndikohej nga projektet ultranacionaliste të intelektualëve serbë të përfshirë në Francuska 7, e cila ishte çerdhe e kësaj fryme, që tashmë opsionet e saj hegjemoniste i kishte shpallur haptas me Memorandumin më të ri të Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Artëve që udhëhiqej nga shkrimtari, Dobrica Çosiq, i njohur që nga viti 1968, kur në Plenumin e Komitetit Qendror të Serbisë pat dalë me tezen nacionaliste “se serbët dhe Serbia kërcënoheshin nga invazioni biologjik i shqiptarëve”. Edhe pse dihej se dialogu shqiptaro-serb në nivel të shkrimtarëve gjatë takimeve nuk do të paraqiste tjetër pos një trysni të hapur ndaj intelektualëve shqiptarë që t’i matej pulsi pjesës më të rebeluar të shoqërisë së Kosovës sa dhe si ishte në gjendje t’i përgjigjej fazës së fundit të ofensivës serbe, në Prishtinë sfida e Beogradit u pranua me përkushtim.

Pjesa më e ndërgjegjshme e shoqërisë së Kosovës, e cila prej vitesh, në forma të ndryshme, jo vetëm që kishte kundërshtuar diktatin e politikës serbe, por pas shpalljes së nismës për ndryshime të kushtetuese, të cilat gjoja bëheshin “për ta forcuar unitetin e federatës jugosllave”, që për qëllim kryesor kishin rrënimin e autonomisë së Kosovës të dalë nga kushtetuta e vitit 1974, “betejën” e Beogradit e shihte një rast tejet të përshtatshëm, pos tjerash t’i jepej një kundërpërgjigje e hapur Memorandumit të akademikëve serbë dhe, njëherësh të bëhej i ditur përcaktimi se po qe se klasa politike e Kosovës, do ta pranonte kapitullimin para dhunës së Beogradit, atëherë nuk mbetej tjetër pos të merreshin në dorë fatet e drejtimit të vendit në përputhje me vullnetin e popullit.

Meqë duelit intelektual midis shkrimtarëve serbë dhe atyre shqiptarë, nga prapa, rregullat e lojës ia caktonte politika e Beogradit, e cila parashihte të nxirrte përfitime të caktuara prej tij, atëherë edhe mbajtja e dy rundave (e para në Beograd dhe e dyta pas dy javësh në Prishtinë dhe numri prej gjashtë referuesish) si dhe fushat e bisedimeve i caktonin shkrimtarët serbë.

Edhe kjo formë e diktatit serb nga shkrimtarët e Kosovës u pranua, meqë kërkohej rasti dhe hapësira për t’u nxjerrë në shesh ato që prej vitesh nuk ishin thënë, çoftë pse kishte munguar guximi, çoftë pse nuk ishin krijuar rrethanat për diç të tillë.

Sfida e Beogradit, që ishte pranuar, udhëheqjes së Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës ia shtronte detyrën e gjetjes së ekipit të përshtatshëm “për dialog”, gjithnjë në përputhje me kërkesën serbe që të shfaqeshin gjashtë referues për fusha të ndryshme nga ajo e aktualitetit, e çështjeve shoqërore, e çështjeve të ndryshimeve, si thuhej në përputhje me kërkesat e kohës, e çështjeve të ardhmërisë dhe të çështjeve gjuhësore dhe të atyre historike.

Duket se planifikuesit e ekipit të Kosovës që do të shkonte në Beograd, ia kishin dalë disi të arnohen me fushat e tjera pos në atë të historisë, ngaqë mungonte një historian me titull akademik ose me vepra shkencore nga fusha e historisë, që edhe ishte e arsyeshme. Në përpëlitje me rregullin se shkrimtari që do të fliste për historinë doemos duhej të kishte ndonjë shkallë akademike nga kjo fushë, atëherë, në kërkim e sipër nëpër listat e biografive të anëtarëve që mbante Shoqata, pasi që nuk kishte asnjë me titullin shkencor të doktorit, kishte rënë në sy titulli im i magjistraturës në fushën e historisë, i fituar në vitin 1979 në temën “Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet gjermane”, që e kisha mbrojtur para akademik Ali Hadrit dhe ajo më shumë ishte fryt i punës sime gazetareske në Gjermani si korrespodent i “Rilindjes” në Bon, se i ndonjë qasje të mirëfilltë shkencore, që do të më kthente kah fusha e studimeve historike.

Sidoqoftë, me gjetjen e një historiani në radhët e shkrimtarëve të Kosovës, ishte plotësuar kushti i fundit që ekipi i Kosovës të merrte pjesë në bisedimet e Beogradit. Nga Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës mu bë e ditur për qëndrimin dhe m’u dhanë udhëzimet si duhej të dukej referati, së paku teknikisht, duke u kufizuar koha në njëzet minua leximi, me të drejtën e replikave eventuale dhe të diskutimit. Ky kufizim nuk vlente për shtrirjen tematike me shkrim, që mund të përfshihej në botimin e përbashkët. Mu tha se për “rival” kisha akademik R. Samarxhiq, historian i njohur serb nga shkolla e Çubrilloviqit.

Si “rastësia” e parë, kur kriza e Qipros dhe pushimi i dështuar në Greqi do të më bart në një fushë profesionale që nuk e kisha paraparë, si dhe “rastësia” e dytë, kur ekipit të shkrimtarëve të Kosovës që do të merrte pjesë në bisedimet e Beogradit i kishte munguar shkrimtari me titullin e doktorit të shkencave nga kjo lëmi dhe ishte “plotësuar” me atë të magjistrit që e kisha, pa i kushtuar ndonjë rëndësi si ndonjëherë mund të më duhej për tjetër pos si formalitet për hulumtimet e mëtutjeshme nëpër arkivat gjermanë për nevojat profesionale dhe intelektuale, punës time të mëtutjeshme dhe madje edhe jetës sime do t’i japin një kah tjetër nga ç’e kisha paraparë, meqë në saje të tyre do të përfshihem në të gjitha ato kthesat dhe zhvillime epokale të shoqërisë drejt rreshtimeve që mund të quhen historike ndër më të rëndësishmet e dy shekujve të fundit me anën e të cilave botës sonë të shkapërderdhur dhe të coptuar nga dhuna e pushtimeve serbo-malaziase si dhe ajo e kthetrave gjysmë shekullore ideologjie, krahas çlirimit prej tyre, do t’i jepet rasti t’i bashkohet familjes perëndimore prej nga para shumë shekujsh ishte shkëputur.

Kështu, mund të thuhet se shkuarja në Gjermani si korrespodent i përhershëm i “Rilindjes” i akredituar pranë qeverisë gjermane nga viti 1976 deri në vitin 2006, kur edhe do të marrë fund karriera ime aktive prej gazetarit dhe analistit të pavarur, krahas sfidës së profesionit në një vend shumë të rëndësishëm, që edhe pse paraqiste lokomotivën botërore ekonomike edhe më tutje mbetej i ndarë dhe me limite të shumta të sjelljes politike, hapte mundësitë e shumta të hetimit të atyre që mund të quhen parashenja të zhvillimeve që do të çojnë te shfaqja e krizës në hapësirat e ish Jugosllavisë dhe më vonë te shkatërrimi i saj, ku Kosova dhe problematika e saj shihej si faktori parësor, të cilat do të marrin kahun e pakthyeshme çastin që në nëntorin e vitit 1989 do të bjerë Muri i Berlinit për t’ua hapur rrugën kthesave të mëdha siç ishte bashkimi i Gjermanisë, shpërbërja e Bashkimit Sovjetik dhe rënia e bipolaritetit të gjatë blokist me luftën e ftoftë.

Parashikimit gjerman për heqjen e perdes së hekurt kah lindja me të cilën do të krijoheshin kushtet për bashkimin gjerman në rrethanat demokratike – qoftë në anën e iluzionistëve nga radhët e Brantit, Shmitit dhe të majtës liberale, qoftë në radhët e atyre që nuk shihnin mjetet demokratike pos gjunjëzimit që duhet t’i bëhet Rusisë me shtrëngesë ekonomike dhe presione të tjera në garën e armatimit për deri sa ajo të binte si amperi – Kosova dhe problematika e saj u shfaqej si një veçanti, që mund dhe duhej shfrytëzuar doemos në njërën apo anën tjetër.

Politikani konzervativ bavaras Franc Jozef Shtrausi, madje do të shkojë edhe më larg kur Kosovën dhe krizën e saj, që ai e shihte të pashmangshme çastin që Tito do të gjendet në agoni, do të kërkojë një koncept gjerman dhe gjithë perëndimor njëherësh, me të cilin kjo krizë do të shfrytëzohet që perëndimi të ndihmojë që Kosova të shkëputet na Jugosllavia, që Shqipëria të kthehet në aleat perëndimor dhe kështu, të bëhet ajo kthesa e madhe gjeostrategjike sipas së cilës do të krijohen parakushtet që NATO ta rikthente hapësirën e Ballkanit të pushtuar nga ideologjia ruse pas luftës së dytë botërore.

Shtrausi madje do të deklarojë se Shqipëria duhet ta zëvendësojë rëndësinë e Jugosllavisë kur një ditë do të shpërbëhet.

Edhe pse profetizimet e Franc Jozef Shtrausit rreth Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve do të mbesin vetëm krrajatje me të cilat do të merret politikani bavaras dhe ai në këtë drejtim edhe do të bëjë hapa të rëndësishëm kur do të shkojë në Shqipëri dhe do t’i ofrojë regjimit të Enver Hoxhës perspektivën e madhe historike, politikanë të tjerë gjermanë, të pozitës dhe të opozitës, nga e majta por edhe nga e djathta, nëse duhej të thoshin diçka jashtë klisheve të njohura nga të cilat, së paku në opinion, nuk largoheshin me dëshirë, atëherë do ta parapëlqejnë opsionin e faktorit Kosovë drejt rirreshtimit demokratik të Jugosllavisë kah perëndimi, që do të bëhej me anën e ngritjes së Kosovës në një republikë të barabartë me të tjerat.

Vetë kancelari gjerman Helmut Shmit gjatë një takimi me gazetarët e mediumeve të qendrave të ndryshme të ish Jugosllavisë të akredituar në Bon, të mbajtur pas vizitës zyrtare që ia pat bërë Titos në Beograd në maj të vitit 1977, pos të tjerash, theksoi se me Titon ishte biseduar rreth Kosovës dhe së ardhmes së saj, po që ajo të mbetet edhe në të ardhmen faktor i stabilitetit të Jugosllavisë dhe të rajonit në përgjithësi, duhej të ngrihej në nivelin e njësisë së barabartë të federatës, në mënyrë që statusi i saj dualist të mos kthehej në mollë sherri midis serbëve dhe shqiptarëve.

Edhe pse politika zyrtare gjermane e asaj kohe, për arsye të kuptueshme, me përjashtim të deklaratës së kancelarit Shmit pas vizitës Beogradit, do të vazhdojë ta përkrahë Jugosllavinë dhe kursin e saj të vetëqeverisjes socialiste dhe të politikës së mosinkuadrimit, ku ajo kishte një vend udhëheqës botëror dhe në një farë mënyre drejtonte të ashtuquajturën “botë të tretë”, që së paku të mos materializonte ca nga ato që Moska shihte si “interesa të përbashkëta me vendet në zhvillim” dhe ato që edhe më tutje ndodheshin në kursin anti- imperialist, ndërkohë që Franc Jozef Shtrausi nuk do të heqë dorë nga vizioni i tij për rëndësinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve që të kthehen në mbështetës kryesorë të perëndimit kur një ditë do të binte perdja e hekurt, megjithatë gjatë dy viteve të ardhshme dhe kohës që do të shkojë deri te vdekja e Titos në maj të vitit 1980, qarqet e caktuara politike dhe mediat analitike gjermane, do t’i kushtojnë vëmendje të madhe dilemës se çfarë do të ndodhë pas Titos dhe me trashëgiminë e tij, dilemë që ishte e drejtë, sepse ishte më se e qartë se ajo nuk do të mund të qëndronte më mbi bazat që e kishin mbajtur nga arsye të brendshme dhe të jashtme, që shkonin edhe deri te ato gjeopolitike dhe gjeostrategjike, me çka viheshin në sprovë edhe faktorët mbi të cilët ishte ngritur dhe qëndronte edhe ndarja gjermane dhe bipolariteti dhe lufta e ftohtë në përgjithësi…

Ky shqetësim, do të bëhet publik dhe do të fitojë legjimitet të hapur në pranverën e vitit 1979 me rastin e botimit të librit “Jugosllawien one Tito”, (Jugosllavia pa Titon) , të publicistit të njohur gjerman Karl Gustav Shtrëm, kur në promovimin në “Redute “ të Bonit, do të marrë pjesë edhe Vladimir Bakariç, kroat dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Titos dhe aktualisht, pas vdekjes së Kardelit, njeri i dytë i hierarkisë politike dhe shtetërore të Jugosllavisë, në pyetjen e shtruar se pse Kosova nuk ishte shpallur republikë, kur atë e meritonte, siç thuhej nga autori, gjithë mëdyshje do të përgjigjet se “as vetë nuk e dinte pse Kosova nuk ishte shpallur republikë”, për të pranuar pastaj se “kjo mbetej plagë e hapur e shtetit të përbashkët, që duhet pasur parasysh”.

Kjo çështje dhe të tjera, që kryesisht lidhen me Kosovën dhe gjithë atë që politika gjermane dhe mediat e saj, do t’i shohin si parashenja të një krize të ardhshme, me të cilat lidheshin si shpresat por edhe druajtja se ajo do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në skenën politike europiane dhe më gjerë, do të gjejnë pasqyrim në pjesën e parë të quajtur “Vitet e Gjermanisë”.

Në formën e kujtimeve, por edhe të ilustrimit me fakte të përzgjedhura nga dokumentet e caktuara, nga bisedat personale dhe ato nga shtypi, e ku bëjnë pjesë prononcime të personaliteteve më të njohura të politikës gjermane, pos tjerash edhe ato të pesë kancelarëve me të cilët kam kontaktuar gjatë karrierës sime publicistike dhe të analitikut të pavarur në këtë vend nga tetë sosh që ka pasur Gjermania e pas luftës (Vili Brantit, Helmut Shmitit, Helmut Kolit, Gerhard Shrëderit dhe Angela Merkelit), do të përpiqem ta paraqes atë që mund të quhet edhe “paralojë gjermane e Kosovës”.

Se “paraloja gjermane e Kosovës” do të vazhdojë edhe më tutje dhe ajo do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë dhe të madh në përfshirjen time në gjithë ato proceset që do të lidhen me zhvillimet e shpërbërjes së ish Jugosllavisë, pikërisht aty ku do të punohet dhe do të veprohet që Kosova dhe problematika e saj të marrë kahun që do ta marrë, pra atë të kthesës kah Europa dhe Perëndimi në përgjithësi fillimisht me mjete civilizuese dhe dëshmi demokratike, kjo do të pasqyrohet më së miri, edhe me atë që merret si interesim i Gjermanisë që kahu i problematikës së Kosovës të shkojë në drejtim të dhënies së këshillave, sugjerimeve dhe ndihmës për pluralizmin politik në Kosovë, i cili do të jetë si kundërpërgjigje tendencave totalitariste dhe ideologjike, që tashmë udhëheqja serbe dhe inteligjencia e saj ultra nacionaliste me Memorandumin e Akademisë Serbe të Shkencave i kishte hedhur në skenën politike jugosllave, si opsione të vetme të mundshme, që do të duhej të legjitimoheshin me ndryshimet e shpallura kushtetuese qofshin ato edhe me dhunë, ku autonomia e Kosovës shfaqej si kurban i parë i saj me çka ajo perëndimit ia kushtëzonte kursin e ardhshëm të bashkëpunimit.

Natyrisht, se në këto rrethana, gjermanët sikundër tek kroatët, sllovenët dhe të tjerët, edhe te shqiptarët, kërkonin faktorin e gatshëm për dëshmitë me anën e kundërvënies civilizuese që do t’i bëheshin përpjekjeve hegjemoniste të Beogradit. Meqë te kroatët, sllovenët dhe të tjerët që kishin statusin e republikës pluralizmi politik ishte diç më i lehtë dhe, në rrethanat e caktuara, ai mund të shfrytëzohej lehtë për deklarimin e shkëputjes nga Beogradi siç ndodhi, pa marrë parasysh pasojat që do të sjellë kjo, te shqiptarët me statusin dualist të krahinës, që dukej se shumë shpejt do të rrënohej nga Beogradi, siç do të ndodhë në të vërtetë në marsin e vitit 1989, punët shfaqeshin më të ngatërruara dhe tejet të vështira. Edhe përkundër kësaj, gjermanët ishin të mendimit se përgjigjja shqiptare Beogradit, pa marrë parasysh se çfarë do të ishte sjellja serbe, do të duhej të ishte civilizuese dhe me mjete demokratike.

Por, cila do të duhej të ishte ajo forcë që merrte përsipër këto procese, kur dihej se klasa politike e Kosovës, të shumtën ishte vetëshpenzuar dhe vetë komprometuar gjatë viteve të mundimshme të të ashtuquajturit diferencim politik kur Beogradit i ishin bërë aq shumë koncesione pikërisht në planin politik , madje edhe aty ku ajo kishte shumë atu të mos bënte kompromise vdekjeprurëse?

Prandaj, mbeteshin vetëm intelektualët e pavarur, kryesisht ata që gjatë viteve të fundit kishin marrë përsipër barrën e kundërvënies propagandës serbe rreth mitit të Kosovës, të cilin ajo edhe më tutje vazhdonte ta fuste në përdorim për sforcimin e të quajturës të drejtë historike, me të cilën e drejta jetësore, apo ajo etnike, shpallej armiqësore.

Shkrimtarët shqiptarë, ishin ata që në këtë drejtim kishin filluar të tregonin guxim dhe përkushtim si në shtypin jugosllav që nuk mbikëqyrej nga Beogradi, si në atë të jashtmin, ku herë pas here shfaqeshin me argumente të shumta me të cilat kishte filluar të sensibilizohej opinioni intelektual dhe ai politik perëndimor drejt asaj që kriza e Kosovës të kuptohej si një përpjekje për robërimin e një populli antik, të cilit i takon e drejta të jetë i barabartë me të tjerët dhe jo “përmirësim i një të padrejte që i është bërë Serbisë”! Gazeta konzervative “Die Welt” e prillit të vitit 1988, do të thotë se shkrimtarët shqiptarë janë në rrugë ta fitojnë “luftën” me shkrimtarët nacionalistë serbë, dhe shfaqen si të vetmit që duhet ta marrin përgjegjësinë për drejtimet e mëtutjeshme të mbrojtjes së popullit të vet.

Thirrja e guximshme e “Die Weltit” do të vijë, si jehonë pas bisedimeve të shkrimtarëve serbë dhe atyre shqiptarë që do të mbahen në Universitetin e Kollarcit në Beograd në prill të vitit 1988 dhe prej andej citohet klithma luftënxitëse e poetit Komneniq: “Ne jemi në luftë me shqiptarët, kjo le të dihet”, që do të vijë si mllef nga disfata intelektuale që do ta pësojnë shkrimtarët serbë gjatë bisedave dyditëshe, kur shkrimtarët shqiptarë me forcën e argumenteve, por edhe me guxim intelektual, do t’u thonë “mjaft” gënjeshtrave të shkencës serbe dhe “jo” kërcënimeve të tyre politike. Edhe mediat e tjera do të sjellin thuajse të njëjtat përfundime nga bisedimet e Beogradit, ndërkohë që kjo do të ndikojë që nga elita intelektuale e cila do të fitojë legjitimitet të plotë brenda dhe jashtë të kërkohej bërthama eventuale, që do të vihej në krye të proceseve demokratike me të cilat do t’i jepej përgjigjja Serbisë. Në përputhje me këto zhvillime nuk e marr të rastit pse radio “Westdeutsche Rundfunk” i Këlnit, pak kohë pas mbajtjes së “duelit” të shkrimtarëve në Beograd do të më ftojë për një bisedë, ku, pos tjerash, do të hapet edhe çështja e mundësisë së themelimit të një partie politike në Kosovë, e cila do të shfaqej me opsionin demokratik perëndimor të zgjidhjes së krizës së Kosovës, që do të ishte një përgjigje ndaj përpjekjeve të propagandës serbe të Beogradit që edhe më tutje ruajtjen e federatës jugosllave e kushtëzonte me suprimimin e autonomisë së Kosovës. U përgjigja se barazia mbetet opsion kryesor në federatë dhe çfarë do forme tjetër të rregullimit të brendshëm, por kjo nuk do të kishte kurrfarë kuptimi dhe do të karikohej madje po qe se Kosovës do t’i hiqej subjektiviteti i federatës dhe ajo do të kthehej serish nën tutelën e një Serbie unitariste që do t’i kontrollonte edhe pjesët e tjera të Jugosllavisë me forcën që fitonte. Theksova se ndihmesa që duhet të japë bashkësia jugosllave, nëse kërkohet shtëpia e përbashkët demokratike, por edhe ndihmesa e perëndimorëve, së pari duhet të pengojë që Serbia t’ia marrë me dhunë autonominë Kosovës, e po qe se bëhet kjo, atëherë kanë kuptim edhe opsionet e organizimit tonë pluralist, të cilin ne e dëshirojmë me gjithë zemër, sepse me të vetëm sa fitojmë…

Redaktori i radios gjermane, publicisti Horst Weseler, edhe herëve të tjera do të fokusojë çështjet e organizimit tonë pluralist. Ndërsa, diku në verën e vonshme të viti 1989, kur pas “pushtimeve” të ambasadave gjermane në Hungari dhe Çeki, do të fillojnë vlimet e shumta në Gjermaninë Lindore, të cilat më 9 nëntor do të kurorëzohen me rrëzimin e Murit të Berlinit që do t’i hapë rrugën bashkimit të Gjermanisë pas një viti, do të vijë në Prishtinë me sugjerimin gjerman për themelimin e një partie politike shqiptare që do të udhëhiqej nga shkrimtarët, por edhe intelektualët të tjerë.

“Tashmë, nuk keni se çfarë të humbni… Gjaku i derdhur më 23 mars dhe shpallja e luftës në Gazimestan nga ana e Millosheviqit flasin qartë se nuk mund të bëni më sehir”.

Miku gjerman bëri me dije se mund të mbështeteshin te gjermanët…

”Nuk do t’iu lëmë në mëshirën e pamëshirë, por së pari duhet të tregoni se jeni në gjendje të kundërviheni…”

Se gjermanët, këtë herë, shqiptarët nuk do t’i lënë në mëshirën e pamëshirë të serbëve, siç dukej, por do të bëjnë shumëçka që organizimi i tyre i brendshëm, që nga sugjerimet për themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, fazës përgatitore të së cilës do t’i ndihmohet drejtpërsëdrejti, parti kjo e cila do të kthehet në një lokomotivë të fuqishme të lëvizjes gjithëpopullore, fillimisht me mjete civilizuese siç ishte vendosja e sistemit paralel me të gjitha institucionet, për të shkuar pastaj, në fazën e fundit, edhe tek kundërvënia e armatosur, që do të dalë në skenë me shfaqjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftës së sajë heroike, kjo do të shihet qysh moti, kur ky vend, do të pranojë dhe do të strehojë mijëra e mijëra të përndjekur, numri i të cilëve do të arrijë shifrën prej treqind mijë sish, që soldateska e Millosheviqit me mjetet e dhunshme i detyronte të braktisnin atdheun, për të vazhduar pastaj me këtë përkujdesje edhe me ndihmat e mëdha humanitare që do t’i derdhë për të papunët në Kosovë dhe të zhvendosurit brenda saj dhe më vonë në kampet e strehimit në Maqedoni dhe në Shqipëri. Po kjo Gjermani, kur nga platforma e lëvizjes së kundërvënies civile e udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës, nga zgjedhjet e para të organizuara në vitin 1992 mbi bazën e vendimeve historike të Kuvendit të Kosovës në Kaçanik të shtatë shtatorit të vitit 1990, do të dalë qeveria e parë e Republikës së Kosovës, do ta pranojë dhe do t’i krijojë kushte për veprimtari në përputhje me rrethanat që i lejoheshin, ku do të organizoheshin fondet solidare për mbajtjen e institucioneve paralele në Kosovë, ndërkohë që në vitet e fundit do të bëhet edhe mobilizimi për kundërvënien e armatosur soldateskës serbe.

Në çastet më kritike, kur duhej të vendosej për fatin e popullit shqiptar që të shpëtohet nga gjenocidi të cilit i ishte ekspozuar dhe mund të përfundonte me pastrimin e plotë të Kosovës nga shqiptarët, Gjermania do të jetë ajo që nuk do ta kursejë ndihmën e vet edhe në planin ushtarak, duke qenë mbështetësja më e fortë e trysnisë së Aleancës Veriatlantike të drejtuar nga amerikanët ndaj forcave ushtarake serbe në Kosovë dhe jashtë saj gjatë ndërhyrjes së NATO-s nga 24 marsi e deri më 10 qershor të vitit 1999, të cilat do të gjejnë pasqyrimin e vet në pjesën e dytë të quajtur “Epoka e Lidhjes Demokratike të Kosovës”.

Meqë libri ka për qëllim ndërlidhjen e natyrshme të kundrimeve të një vëzhguesi dhe analitiku nga pjesa e parë me ato të përjetimeve të drejtpërdrejta nga pjesa e dytë, të cilat qëllimisht fokusohen nga parakoha e themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, si bartëse e lëvizjes gjithëpopullore, tek dy korriku dhe kushtetuta e Kaçanikut e shtatë shtatorit të vitit 1990 dhe shkojnë deri te referendumi për shpalljen e pavarësisë dhe zgjedhjet e para parlamentare pas një viti, është e natyrshme që ato t’u nënshtrohen disa përkufizimeve personale, të pashmangshme për prosedeun e zgjedhur të trajtimit, që sillet midis faktit dhe kujtimit, midis vlerësimit dhe gjykimit.

Megjithatë, që pasqyrimi të ruajë masën e të dyjave, pra përjetimit dhe të argumenteve të panjohura për opinionin dhe të atyre të anashkaluara po edhe të interpretuara keq, do të përpiqem që vëzhgimeve dhe vlerësimeve t’ua ruaj sa më shumë që të jetë e mundur faktet, ndërsa fakteve t’u shtohet kundrimi personal. Kjo vlen veçmas për evokimin e bisedave me personalitet e rëndësishme politike dhe shoqëror që nuk janë më gjallë siç janë kancelari gjerman Vili Brant, politikani konzervativ Franc Jozef Shtraus, politikanët e tjerë të lartë gjermanë: Horst Emke e Herbert Vërner, pastaj shkrimtari i njohur nobelisti Hajnri Bëll, regjisori Rajner Maria Fasbinder dhe të tjerë, duke përfshirë këtu edhe vlerësimet rreth punës së përbashkët me dr. Ibrahim Rugovën, në rolin e drejtuesit të kundërvënies civile, të dalë nga filozofia politike e konceptit të Lidhjes Demokratike të Kosovës të mbështetur në trekëndëshin strategjik: barazi, demokraci, perëndim, që do të kthehet edhe në program të lëvizjes gjithpopullore dhe shtetformuese, program ky që do të vejë në lëvizje dy procese paralele: atë të shkëputjes nga Jugosllavia dhe të shkëputjes nga komunizmi.

Por, që të dëshmohet se kujtimet nuk janë mbetje kohe dhe bredhje, por mbështeten në faktet e gjalla, këtij libri së shpejti do t’i bashkëngjitet një tjetër me dokumentet autentike të kohës, të shumtën të panjohura deri më tash, ndërkohë që shumë nga ngjarjet që merren në shqyrtim mund të dëshmohen me dokumentacionin prej mbi njëqind mijë dokumentesh nga fondi i Lidhjes Demokratike të Kosovës që nga themelimi e deri në kuvendin e parë të majit të vitit 1991, të cilat në vitin 2027 ia kam dorëzuar arkivit të Entit të Historisë së Kosovës, ku janë në përpunim sipër.

Rrjetet sociale