Letrat për Kryeprincin

[Shkarkoje librin]

SHËNIMI HYRËS

I mbyllur shumë vjet në Kështjellën e Hijes në Pashtrik, prej nga një ditë një shtysë e çuditshme me nxori që ta përballoj gjendjen as të jetshme e as të vdekshme në të cilën isha zhytur çastin që vendin tim do ta gjejë zezona që e kishim në prag, dhe pa qenë i sigurt se jam liruar si duhet prej saj, gjatë bredhjeve të pafundme në hapësirën që mund të quhej si a s k u n d-k u rr k u n d j e, sikur gjeta njëfarë prehje nëpër udhën e pafund të shkronjave, i bindur se shkrimet e dala prej tyre, edhe pse të ngatërruara e të shumtën pa fund e pa krye, shfaqin një pjesë të asaj që mund të merret e djeshme në të sotmen e nesërme, që megjithatë ndërlidhen me ato që u folën në tokën tonë, kush e di se kur, para njëzet e pesë vitesh, para dyqind e pesëdhjetë vitesh apo para dymijë e pesëqind vitesh, kur ishte në rrugë e sipër ajo beteja vendimtare, që duhej të bëhej sa më parë për ta ndëshkuar princ Brankoviqin, i cili jo vetëm që ia kishte futur thikën pas shpine krishterimit, por kishte bërë që një pjesë të madhe të botës së Arbrit, siç ishte Toka e Lashtë me rrethim, ta fusë nën zgjedhën e një vasaliteti tjetër, që ai e lidhi me osmanët kur u humb lufta e Kosovës.

Më kujtohet si sot ajo ditë e kthjelltë vere kur im Atë, gjithë shqetësim ngazëllues fliste rreth asaj se më në fund Ura e Shenjtë priste Kryeprincin e tokave të Arbrit.

“Dashtë zoti që fryma dhe fërkemet e tij përherë të mbetën në të… “

Këtë urim e tha kur nga ajo pikë pamë si i afrohej Urës karroca me katër kuajt të bardhë e përcjellë me kalorës të shumtë që nxinë anën e Drinit nëpër të cilën sa e sa herë kishin kaluar mbretër dhe perandorë të ndryshëm, gjithnjë duke lënë pas mallkimin e gjakut dhe kobët tjera që e gjenin jo vetëm Bujarinë e Tokës së Lashtë por gjithandej principatat në lindje dhe në perëndim të saj. Nga kronikat e derës sonë kisha mësuar se në qindvjetëshin e fundit, dy nga perandorët më të fuqishëm të Bizantit si dhe dymbëdhjetë princa ortodoksë kishin përhapur flamujt e tyre në parmakët e urës sonë dhe po aq herë ata ishin hequr me gjak nga ana e katolikëve, që vinin nga pjesa tjetër, gjithnjë me zotimet se do të mbeteshin përherë aty.

Im Atë po ashtu uroi që kjo ardhje të shënojë fundin e shkapërderdhjes sonë nëpër principatat, që herë ishin dhe herë nuk ishin, dhe fillimin e përkatësisë mbretërisë së Arbrit, që nuk do të ishte vetëm katolike e as vetëm ortodokse, por pjesë e kryqit të botës krishtere, ku do të mbizotëronte paqja dhe harmonia e zotit.

Mbaj mend se pa e mbaruar mirë këtë urim, fytyra i mori një pamje të rëndë, nga një njoftim i papritur që i erdhi, ku i bëhej me dije se ajo rrugë nëpër Bujarinë tonë të nëpërkëmbur, veçmas pas atyre që kishin ndodhur që nga ajo beteja e përgjakshme e Stavrës, çonte kah një luftë e re.

 „Serish do të kemi luftë midis katolikëve dhe ortodoksëve në vend se të luftojmë kundër armikut të përbashkët… Prapë do të vritemi pa ditë se cilës anë do t´i ndihmojmë dhe kujt do t´i takojmë… “

Me këto mendime të zymta në kokë mbeti edhe atëherë kur bashkërisht u mor rruga për te kisha e Deçanit dhe aty u fol diçka rreth lumit tonë, i cili vinte nga krahu lindor i vendit, si dhe një dege të të njëjtit, që vinte nga krahu jugor, që pastaj të bashkuar në një pikë, e cila mund të merrej për nyje të krahinave të Arbrit, ndiqnin rrugën drejt detit dhe viseve të gjëra që u quajtën „botë e pafundet perëndimore“… Dhe me këto mendime mbeti edhe atëherë kur u kthye nga kisha ndërkohë që Ju morët rrugën e Pejës prej nga pastaj do të vazhdonit kah lindja për ta bërë atë luftën kundër Brankoviqit, që e quajtët të domosdoshme dhe në të mirë të botës perëndimore.

Por, i mësuar nga ato që kisha dëgjuar rreth luftërave, që gjithsesi se merrnin haraçin e shtrenjtë, ( siç kishte ndodhur gjatë atij njëqindvjetëshi të fundit gjithandej kah shtrihej Bujaria e Tokës së Lashtë), dhe i ngashënjyer nga ato që thuheshin për fatin e tim gjysh, bujar Nikë Bardhit, të cilit sikur gjurmët i kishin mbetur në atë betejën fatkeqe të Stavrës, ku ai nuk kishte marrë pjesë, por sipas të gjitha gjasave një frymë e çuditshme padiktueshëm e kishte tërhequr në vorbullën e saj tragjik si ndëshkim ndaj Asnjanësisë, (që ai edhe në rrethanat e shfaqjes së gjysmëhënës, dëshironte ta ruante si mënyrë e të mbijetuarit të meçdokushtshëm), pra, pas gjithë atyre që kishin ndodhur, të menduarit e luftës së re, që ishte në nisje dhe mbase fillonte kur po largoheshit nga kisha e Deçanit, m´u shfaq si një sfidë e brendshme, që do të mund të quhej luftë e vazhdueshme me të panjohurat dhe të njohurat që nuk ishin vetëm të miat, por të brezave të tërë nga e kaluara e largët dhe e afërm, që nuk mund të quhen ndryshe pos pjesë e një kujtese të shkapërderdhur, me të cilën, mbeta përgjithmonë i lidhur. Madje kjo ndërlidhje, që më qepej kur mendja më shqetësohej nga zallahia e jashtësisë, mund të thuhet se m´u pikas përgjithmonë çastin kur pashë se u niset kah Peja dhe im Atë me fisnikët dhe flamurtarët e Bujarisë morën rrugën e kthimit drejt Kështjellës së Perdrinit, që lente për të kuptuar se mund të përsëriteshin kohët e mëparshme, kur duhej t´i rrihej sa më larg luftës së kryqit, e cila në këtë pjesë të botës gjithmonë e kishte çmimin e madh të gjakut. Por, ato që atëbotë i thatë rreth fatit të përbashkët, që nuk mund t´ikej, dhe shtrëngimi i dorës, që më erdhi bashkë me fjalët se në sy po ma shihnit „shkëndijimin e një drite, që përherë duhej ndjekur drejt lartësimit të pakufishëm“, më kthyen përgjithmonë kah ndijimi shpirtëror i asaj lufte dhe të tjerave, që do të zhvillohen gjithandej kah shtriheshin principatat e Arbrit dhe vendet përreth, të cilat ndodheshin në kërkim të një lidhjeje tjetër më të gjerë, me të cilën them se pasqyrohej jo vetëm të qenit e thjeshtë dhe i rrudhur brenda një hapësire të mbërthyer, por shfaqej edhe të menduarit e gjithanshëm, ku përcaktimi ndaj njërës botë ishte më shumë se çështje mbijetimi, ku për fat të keq, puqjet sado të ndjeshme ktheheshin në përjashtime , që nuk u linin vend afrive dhe gjithë atyre që do të mund të merreshin si baraspeshë e të kundërtave.

***

Rrjetet sociale