Nata e shekujve

[Shkarkoje librin]

1

Nikë Bardhit, bujarit të Përdrinit, papritmas i erdhi një letër nga Oborri i Principatës. Lartmadhëria e tij Balsha i Dytë, kërkonte me u marrë vesh të gjitha hollësitë rreth shterjes së kroit të Urës së Shenjtë. Në letër i bëhej me dije se në vend së shpejti do të arrinte një komision i Principatës që do të merrte në shqyrtim që të gjitha hollësitë rreth shterjes së kroit.

 „Oborri dhe Lartmadhëria e tij pret me vëmendje të madhe përfundimin e drejtë të hetimeve, pasi që ato janë me interes të madh për tërë vendin“.

Letrën e mbushur me lagështi, të cilën në ditën e njëzet e një të muajit të tretë të motit të shenjtë njëmijë e treqind e tetëdhjetë e pesë e kishin sjellë nga Shkodra lajmëtarët e lodhur nga rruga e largët dhe e mundimshme, gjatëkohë e mbajti në dorë. Kërkonte që aty për aty të nxirrte prej saj shqetësimin e Principatës, që si i thuhej, e kishte mbërthyer pa masë Oborrin dhe gjithë vendin.

 Ç’kishte vallë shqetësuese te një shterje e rëndomtë e ujit te një kroi, që mund të kthehej prapë ashtu siç kishte ikur?… Nuk kishte vallë vendi telashe edhe më të mëdha që nuk u shihej fundi?

Kësaj pyetje sikur nuk po ia gjente përgjigjen dhe sa më shumë që i sillej në kokë aq më i madh i bëhej hutimi e aq më i hapur dyshimi se prapa atij shqetësimi për ujin e kroit mund të fshihej ndonjë veprim djallëzor, nga më të ndërnduartit, me të cilat sikur ishin plot e përplot kohët kalimtare nëpër të cilat kalohej pareshtur…

Ç´është e vërteta, lajmin për shterjen e kroit të Urës së Shenjtë e kishte marrë para disa ditësh. Mikeli plak, si pa frymë kishte kërkuar me i tregue për një të papritur të jashtëzakonshme. Kur i dha leje me folë, plaku një copë herë ishte mundue me i nxjerrë ato që duhej me i thanë. Djersët që ia kishin kapluar ballin dhe njëfarë verdhimi që i kishte rënë fytyrës si hir i mortit, tregonin se ai ishte jashtë vetes.

“Qetësohu, i kishte thënë Nika, qetësohu. Mbase nuk ka plasë zezona?…“

„Ah, imzot, shterja e kroit të Urës sonë është zezonë shkuar zezonës…“

Me t´i thënë këto, plaku ishte shembur si i ngrirë. Në atë gjendje kishte mbetur një copë herë ndërkohë që Nika e kishte shikuar hutueshëm me parandjenjën e keqe se tashmë kishte nisur t´i përplasej para diç e atij shqetësimi që i vinte nga jashtë.

Në atë ajgëtim të bëftë me të papriturën, edhe pse plaku, pasi kishte marrë veten, kishte kërkuar të falura, me ato që ia kishte thënë se nuk kishte arsye që punën ta merrte aq ngushtë meqë ujërat dhe lëvizjet e tyre nuk vareshin nga vullneti i njerëzve, Nika nuk kishte dashur ta pranonte shqetësimin, sado që thuajse papritmas kishte nisë të fliste për njëfarë rrethi të mbyllur, ku ndodh përsëritja e të njëjtës për të shtuar se kjo nuk do të thotë se duhet ndejë duarkryq…

“Duhet me e kërkue pikën ma të thellë të të menduarit prej nga të vërtetës mund t´i hiqet gënjeshtra dhe gënjeshtrës t´i hiqet e vërteta… Që të panjohurës t´i shkëputet e njohura dhe që e njohura të mos ketë të panjohura… Me një fjalë, duhet me ndodhë një kthesë e përgjithshme…”

Këtu Nika ishte ndalur, jo vetëm pse plakun mund ta ngatërronte edhe ma me ato që ai fare nuk i kuptonte, por pse kishte frikë se edhe vet do të kurthohej shtigjeve, të cilat i shfaqeshin çastin që në kokë i silleshin më shumë pyetje se sa përgjigje.

Plaku që nuk ishte mësuar me e pa të zonë të fliste ashtu, pa lejen e tij, me një hurrpë kishte zbrazë shtambën e verës që i rrinte pranë dhe kishte marrë rrugën e derës. Në të dalë, me trupin jashtë dhe kokën brenda, që Nikës iu kishte dukur si e këputur, kishte çapitur diçka për njëfarë të lige që do të vinte doemos, ngase ishte shqetësuar shenjtëria… Plaku, po ashtu, thuajse kërcënueshëm, kishte shtuar se emblema e Bardhëve nuk do të ishte më ajo që ishte.

 Fjalët e plakut për shqetësimin e shenjtërisë dhe ato që mund të ndikonin dera e Bardhëve mos me qenë ma ajo që ishte, sikur ia bënin me dije se nuk ishte fjala për brengosjen për një krua që ai e merrte për të rëndomtë, por për ndonjë çështje të madhe me të cilën synohej ndonjë qëllim i caktuar, që doemos duhej të fshihej në atë mënyrë?…

Nga e kaluara kishte mësuar se ata që shkonin e vinin, herë nga lindja në perëndim e herë nga perëndimi në lindje, bënin çmos që, në atë mesokohën kalimtare, ku rëndom humbej edhe ajo pjesë e vogël e mëvetësimit, të lenin sa më shumë gjurmë, gjak, por edhe ngatërresa, të cilat assesi të tejkaloheshin që pastaj, në atë hapësirën që nga jashtë merrej si e askujt dhe e gjithkujt dhe për të shkuar mëtutje (pa marrë parasysh kahu dhe ana) gjithsesi duhej kaluar nëpër të, gjendja mbahej e ngrirë dhe e rrudhur mbase edhe për me u pa ma mirë ato që synoheshin të sprovoheshin në një hapësirë të mbyllur ku dukej se asgjë nuk ndodhte, ku asgjë nuk lëvizte, e ku atij që vente pushtet sado të përkohshëm i lejohej gjithçka.

***

Rrjetet sociale