Udhëtimi i Mendim Drinit

[Shkarkoje librin]

(Prolog)

Aty nga fundi i vjeshtës së vitit të fundit të mijëvjeçarit të parë, kur shpresohej se bota e kryqit, pas shumë e shumë përçarjesh të brendshme dhe luftërash për pushtet, më në fund kishte gjetur paqen me të cilën mund ta përballonte rrezikun që i vinte nga depërtimi i pandalshëm i gjysmëhënës, vendet e Përdrinit, nga të dyja anët e lumit, ishin sulmuar papritmas nga kalorës të shumtë. Të veshur me veladonë, sikur të kishin pikur prej qiellit, kishin vrarë dhe prerë pamëshirshëm, pa kursyer këdo qoftë. Ndërsa në fund, pasi e kishin larë me gjak, ia kishin vënë zjarrin gjithë vendit.

Edhe pse për këtë plojë të tmerrshme askush dhe asnjëherë nuk kishte marrë përgjegjësinë, përveçqë me anën e thashethemeve të përhapura, e gjitha ishte munduar të arsyetohej me njëfarë mallkimi që e kishte nga shkaku i sëmundjes së territ, ose nga ndonjë mëkat tjetër i pafalshëm, ajo as që ishte qitur në harresë e as që ishte mbyllur me kaq. Kur flitej për mëkatet e pafalshme jo rrallë zihej ngoje rasti i shfaqjes së lidhjes së Lëvizjes së Asnjanësve tek Ura e Shenjtë, që kishte për qëllim rikthimin e lirisë së besimit në përputhje me ndijimin e dhuntisë hyjnore të gjuhës së shenjave, e të tjera si këto.

Përkundrazi, me kalimin e kohës, porsi toka, e cila në pranverë nxjerr bar bashkë me bimë të tjera të panumërta, që natyrës i japin gjallim të gjithanshëm dhe harlisje të papërmbajtshme, ashtu kishte ndodhur edhe me ato copëza të rrëfimeve të shkëputura fare, të cilat, në saje të një dëshmie të shkruar të gjetur e ruajtur nën rrënjët e një lisi të moçëm, ishin përhapur pandalshëm dhe, në bartje e sipër, edhe si sajime të lira dhe fare pa mbikëqyrje, që bredhin nga njëra anë në tjetrën, i kishin ndihmuar ndërlidhjes së kujtesës për aq sa vendet fatkëqija të Arbrit me kufirin e ndarjes së botës përsipër, në ato përpjekje të vështira të mbijetesës me anën e përshtatjeve që nuk kishin fund, të kuptojnë se ishte pikërisht ngacmimi i asaj që vasalitetin dhe nënshtrimin nuk e lejonte t´u kthehej në një gjendje të përhershme shpirtërore, pa marrë parasysh çmimin e madh që do t´i paguhej …

Rrjetet sociale