Xhemail Mustafa: Kronikë e dramatizuar dhe e shpirtëruar

*Jusuf BUXHOVI:”Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, roman. Botoi “Rilindja”, Prishtinë, 1982.

Shkruan: Xhemail MUSTAFA

Në praktikën e interpretimit të letërsisë, e veçmas në tekstet teorike mbi krijimtarinë letrare të autorëve të ndryshëm, thuhet shpesh se shkrimtari  gjatë gjithë përvojës së tij krijuese e shkruan të njëjtën vepër, qoftë edhe atëherë kur interpretimet  e veta i formëson dhe i transmeton përmes veçorive  të zhanreve, apo llojeve të ndërduarta të letërsisë. Konstatimin  e tillë, sado të përgjithësuar qoftë, e provojnë si të qëndrueshëm edhe disa autorë tanë, vepra letrare të cilave vjen  dhe pasurohet vazhdimisht  me elemente të reja ideoartistike, por duke ruajtur  gjithnjë  një sërë esencash  poetike, që paraqesin aspektet e qendrore të  individumit artistik. Midis  këtyre autorëve  është edhe Jusuf Buxhovi, i cili deri më tani  boti librin e tregimeve “Cirku”, dramën “Dinosauri” dhe  romanët “Matanëkrena”, dhe “Loja” , që së bashku krijojnë një tërësi relativisht koherente ideo-tematike , që po u vështrua krahasimisht dhe si totalitet, manifeston momente  të përsëritjes dhe të ngushtisë kuptimore.

            Rrëfimi – vetërrëfimi- relacionet

Ndërkaq, me romanin e tij të tretë “Shënimet e Gjon Nikollë Kazit”, autori i kapërcen kufizimet e mëparshme  në planin tematik dhe, po ashtu, praktikën e vet krijuese, e plotëson dhe e zgjeron me elemente të reja  të qasjes dhe të prosedeut artistik. Këto risi  poetike i sugjeron vetë titulli  i romanit, i  cili është i konceptuar  si një tekst letrar me e elemente të dokumentaritetit  të theksuar, që rrëfen për dhe fratin dhe dramën e individit, brenda hapësirës dhe kohës,  me ç’rast, një kolektivitet i  tërë sprovohet  me situata ekzistenciale, thuajse asgjësuese. Ngjarja e romanit, veprimet dhe bota e personazheve  në përgjithësi, janë vendosur  në një hapësirë dhe kohë fare konkrete edhe fare e të caktuar, ashtu siç   është fare konkreten dhe historikisht i njohur edhe  kryepërsonazhi i veprës –Gjon Nikollë Kazazi. Prandaj, duke u nisur  nga kjo e dhënë, ne e parë mund të fitohet përshtypja se ky roman, në fakt është një biografi e romanizuar, t’i  themi kështu më kusht, ose kronikë autentike e dramatizuar  dhe e shpirtëzuar  e një kohe, hapësire dhe një individi. Në të vërtetë ky roman është, edhe ngritur  mbi të dhëna autentike, edhe pse jo gjithaq të njohura, çfarë dalin  në spektrin e gjerë të informacionit  të këtij teksti letrar.

Mirëpo që t’i ikë përvojës së shkrimit të kronikës, ngurtësisë  dhe racionalitetit të prezantimit statik dhe  të transformimit  të veprimeve dhe situatave, autori rrëfimin ia detyroi heroit të romanit.  Në këtë mënyrë arrihet  shkallë më e lartë i literaritetit (Lotman) zë tekstit, si element esencial ndërdallues  dhe aksiologjik i veprës  artistike, i veprimit  të saj  semantik dhe    estetik.  Personazhi  i këtij romani  e rrëfen  veten, fatin  dhe sprovat  e shumta, nëpër cilat merr kuptim jeta, veprimet  dhe komplikimet  e tij. Njëherësh, në ndërlidhje të fortë,  rrëfen edhe përvojën  e apokaliptike  të kolektivit, pjesë e të cilit  është, si dhe  flijimet e pareshtura, që dilin nga kjo gjendje, të krijuara nga pushtuesi osman. Do të thotë, ne një anë kemi  të bëjë me një jetëshkrim, që si i këtillë shquhet për energjinë  e veprimit estetik  dhe recepcientin, kurse në anën tjetër, me tekstin  kuptimisht  më të gjerë, por me më pak efektivitet artistik, brenda të cilit vendoset jetë-shkrimit. Kështu, krijohen relacione nga  të ngushta, të motivuara  nga aspekti socio-psikologjik midis individit  që rrëfen  e vetë-rrëfehet dhe kolektivit, që është i rrëfyer me të gjitha vështirësitë  dhe sakrificat e tij. Prandaj, mund  të thuhet  lirisht se heroi i romanit  është narratori , në këtë rast Gjon Nikollë Kazazi, atdhedashës, dhe shkrimtar i traditës sonë, aq sa është i gatshëm për ta trajtuar dhe kultivuar strukturën shpirtërore.

                                 Arti i mbrojtës – vetëflijimi

Me këtë praktikë krijuese në punë të ndërtimit të romanit, autori e zgjeron optikën e vështrimit poetik të gjërave, të motivimit të veprimeve dh të aksion në përgjithësi, sado që në disa raste pikërisht rrëfimi  në vetën e parë, e ngushton hapësirën  e kantemolimit rreth gjërave. Narratori  situatat  i kundron dhe i interpreton nga pozita e unit të tij, që vetvetiu e supozon njëfarë ngushtësie  dhe subjektivizimin e veprimeve dhe fakteve  të jetës.  Këto elemente i gjejmë thuajse gjithherë  te romanët  tona të ndërduarta mbi këtë bazë dhe përvojë  të konceptimit të botës  artistike, konvencë kjo, të cilën Jusuf Buxhovi  e kapërcen  pikërisht atëherë  kur arrin t’i shemb kufijtë midis personazhit-narrator  dhe gjërave e problemeve që i përjeton kolektiviteti, të cilit i përket ai.

Shembja e këtillë, e këtyre kufijve, që vetvetiu të imponohen me staticitetin e vet, e nënkupton lëvizshmërinë e domosdoshme vështruese dhe gjykuese, që duhet ta ketë narratori i romanit, rrëfimtari që këtu është aktiv, me një horizont të gjerë vështrimi dhe të informacionit. Nga përqendrimi në rrëfimin  për gjërat  që e rrethojnë, për aktualitetin e  asokohshëm , autori, përkatësisht narratorii romanit, me lehtësi  të konsiderueshme zë dhe rrëfen për fakte e situata nga e kaluara  e largët e popullit  tonë, apo e njerëzimit në përgjithësi.  Rrezikut që ky informacion të jetë qëllim i vetvetes, shkrimtari i shpëton në saje të gjeturisë dhe invencionit që  gjerat  dhe momentet e ndryshme ,  apo të përvojës përgjithësisht, t’i vejë në ndërlidhje të fortë ndërvepruese. Kështu, shumica e  elementeve të informacionit autentik, për të mos thënë i tëri, vihen në funksion   të përkufizimit dhe të shpirtëzimit të qëndresës së popullit  për mbrojtjen e strukturës së tij psikologjike  dhe shpirtërore në tërësi. Kjo qëndresë  me kohë  ishte shndërruar në art të mbrojtjes, ngase edhe përkundër masave të pareshtura kishin marrë pushtuesit e ndryshëm  të kombit deri atë kohë, midis të cilëve më i  tmerrshmi ishte Perandoria Osmane, populli kishte mbetur vital, me struktura të paprekura, që manifestohej me këngë dhe legjenda, në çdo aspekt të ekzistimit.

Të pakënaqur me rezultatet e tyre në punën e asimilimit të shqiptarëve, osmanët e sjellin mikrobin e murtajës në  Gjakovë, me qëllim që për një kohë t’i japin fund , strategjisë së  tyre për shprishjen e identitetit kombëtar.

Po  inercioni i përvojës  në punë të mbrojtjes së Atdheut dhe të kultivimit të qenies, e bën të vetën; mikrobi i murtajës , që kishe  shkretuar   qytete e vende të tëra, neutralizohet përmes gërvishtjes, me  futjen e  tij në organizëm,  në përputhje me logjikën antike të mbrojtjes se  “mikrobi e lufton mikrobin”, gjë që , në rastin konkret kishte ndikuar që  viktimat  janë  të jenë më të vogla nga ato që parashiheshin nga strategjia shërbimeve të fshehta të Stambollit. Autori, pra, shfrytëzon artin e mbrojtjes “të mikrobit me mikrob” për t’u përballuar me shfarosjen dhe ia del, mjet ky që e njeh edhe mjekësia. Ata që angazhohen për këtë kauzë (Gjon  Nikollë Kazazi, Lam Mula, Sheh Alia e të tjerë nga paria e qytetit), pasqyrojnë intelektualët që marrin përgjegjësi në situata të tilla ekzistenciale, ndërsa mikrobi i murtajës shfaqet edhe si metaforë e luftës biologjike, si armë e padukshme që asnjëherë nuk pushon, por vihet në veprim për shfarosje dhe gjenocide.

                         Hapësira e veprimit – kufizimet

Subjekti i këtij romanit, dramaciteti i brendshëm, dhe atmosfera e rëndë, që është ekuivalent i  intencës kuptimore të tekstit, vetvetiu e bëjnë interesant këtë vepër. Në anën tjetër rrëfimi i drejtpërdrejt, pa thyerje të mendimit nëpër teknika të ndryshme të shkrimit letrar, bëjnë që romani të lexohet me lehtësi, ndërsa përjetimi i objektit artistik është i thellë dhe veprues, Ajo që e mban aktiv kureshtjen e recipientit, që e fikson qartë “horizontin  e pritjes në këtë roman  është fabula dhe ndonjë sistem i të menduarit, i meditimit rreth situatave dhe problemeve të jetës. Komunikimi intensiv, si kualitet qendror në punë të receptimit të veprës letrare, këtu motivohet me vet subjektin e romanit, me shtrirjen  e tij. Vetëdija e komunikimit merr dy shtrirje: një anë që provokon se në ç’masë  po realizohet strategjia e tmerrit, e zhdukjes së një etnie, e përgatitur mirë e mirë nga pushtuesi. Kurse në tjetrën anë, të bën kureshtar suksesi i vetëmbrojtjes, nëpërmes artit të qëndresës. Për këto dy shtrirje të subjektit të romanit lidhet  edhe hapësira e veprimit e të personazheve , të heroit , që, pos si narrator qendror, shquhet edhe si pjesë e një vetëdije kolektive, mbi të cilën ngritët metafora e qëndresës  në shkallë motivimit.

Duke qenë se narratori paraqitet herë  vetëm si vështrues i gjërave dhe situatave, e herë  edhe si krijues i tyre ndodh disa herë që kapërcimet nga situa në tjetrën të bëhet pa ndonjë shkathtësi. Kështu, dy-tre kapituj  e parë të romanit përfundojnë me situata përafërsisht  të njëjta  lidhen për gjendjen shpirtërore dhe fizike të narratorit – Gjon Nikollë Kazazit. Pastaj përseritet  disa herë fjalia “Dikur vonë, pasi u solla e u mbështolla në shtrat, e mora fletoren e shënimeve dhe shkrova…”

Këto momente, që krijojnë përshtypjen e ngushtësisë  së vështrimit të gjerë, megjithatë nuk çojnë peshë në vlerën  dhe strukturën e përgjithshme të romanit “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, rrëfimi i të cilit është  mjaft komunikativ, me energji të veprimit estetik dhe semantik. Në këto elemente të makrostrukturës poetike, duhet kërkuar aspektet esenciale të përbashkëta midis këtij romani dhe pjesës tjetër të prozës s. këtij autori. “

(“Rilinjda”, 22.V.1982)

Rrjetet sociale